Eventi kryesor në këtë shfaqje ndërkombëtare BOXXER nuk ka zhgënjyer pritshmëritë. Florian Marku është tashmë kampion i peshave të lehta në versionin WBC, duke mundur me vendim unanim të gjyqtarëve meksikanin Miguel Parra Ramirez. Ish-kickboxeri ka punuar fort në rrugën e tij drejt peshave të lehta. Në daljen e tij të fundit, Marku shpartalloi ish-kampionin britanik Chris Jenkins në vetëm katër raunde për të marrë rripin e IBF International.
I pathyer në ringun profesionist, që kur kaloi nga kickboxing, Florian Marku ka patur nevojë për 10 raunde shumë të luftuara, në “Air Albania”, për të marrë më të mirën ndaj meksikanit, i cili në disa momente e vuri në vështirësi të madhe Markun. Kritik raundi i tetë ku Parra e nxorri KD Markun, edhe pse shqiptari u ngrit shpejt dhe nuk rrezikoi me numërimin.
Nga ana tjetër Marku ishte më i saktë në luftimin e afërt, ku vuante të evitonte distancën ku favorit ishte Parra edhe për shkak të gjatësisë. Një KD u numërua edhe për meksikanin në raundin e katërt, ndërsa në raundin e 7 u sinjalizua edhe një faull i tij ndaj Markut.
Boksierët e ndjenë emocionalisht sfidën, duke provokuar njëri-tjetrin nën dorëza, madje me Markun që i fliste kundërshtarit për të treguar supremacinë. Meksikani u hakmorr në momentin që e rrëzoi Markun, por në fund, gjyqtarët i dhanë të drejtë boksierit shqiptar, që rrëmbeu fitoren me vendim unanim për titullin WBC Silver interim.