Në një “Air Albania” të mbushur plot, u zhvillua ndeshja miqësore e futbollit mes Shqipërisë dhe Italisë.
Kuqezinjtë nuk arritën dot të kënaqnin tifozët e shumtë që kishin ardhur për t’i përkrahur, duke pësuar humbje me rezultatin 3-1.
Edhe pse shënuan të parët, të besuarit e Edi Rejës nuk mundën dot të ruanin avantazhin e krijuar në minutën e 15-të nga goli me kokë i Ismajlit.
Kampionët e Europës e shuan shpejt gëzimin e shqiptarëve, me Di Lorenzon që barazon rezultatin në minutën e 20-të.
Më pas del në skenë Grifo. Sulmuesi që luan në Bundesligë me Freiburg tregohet i saktë brenda zone në minutën e 25-të, duke i dhënë avantazhin 2-1 “Azurrëve”, rezultat me të cilin mbyllet pjesa e parë.
Në fraksionin e dytë, loja ka ritëm, rastet nuk mungojnë në të dy portat respektive, madje Grifo nga njëra anë shënjestrën traversën e Berishës, teksa nga krahu tjetër, po traversa shpëton Italinë dy herë nga gjuajtjet e Uzunit dhe Bajramit.
Goli i tretë i shuan shpresat e Shqipërisë për një rezultat pozitiv përballë kampionëve të Europës, pasi Grifo në minutën e 64-t realizon dopjetën personale dhe vulos shifrat përfundimtare të takimit, 3-1.
Kuqezinjtë nën drejtimin e Edi Rejës do të luajnë dhe një tjetër miqësore më datë 19 nëntor në kryeqytet, e cila do të jetë e fundit për këtë vit.
Sa për Italinë, kjo miqësore i shërbeu trajnerit Roberto Mancini për konsolidimin e grupit në funksion të përgatitjeve për EURO 2024, pasi siç dihet “Azurrët” nuk marrin pjesë në Botërorin e Katarit.