Nga Ervin Resuli – Që prej 1 Prillit 2024, blegtorët në Vlorë, Berat, Fier dhe Lushnjë janë nën presion për një ulje të pestë brenda një viti, që nga Prilli 2023, ne mbi 20 lekë të reja për liter në çmimin e qumështit të lopës.
Kjo ulje ka një shpjegim të vetëm: pangopësia e fabrikave dhe trajtimi i blegtorëve si skllevër të koheve moderne nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, trajtimi i konsumatorëve në të njëjtën mënyrë, duke u rritur çmimin dhe ulur cilësinë deri në atë pikë sa në vend të qumështit, atyre u jepet ujë.
Zgjidhja e kësaj situate mund të ndahet në dy hapa:
1. Rregullimi Institucional:
– Autoriteti Kombetar i Ushqimit duhet të fillojë menjëherë verifikimet për cilësinë e qumështit që hidhet në treg.
– Autoriteti i Konkurrencës duhet të përfundojë hetimet që ka nisur dhe të hapë të reja për të kuptuar si çmimi ulet te blegtorët në mënyrë të sinkronizuar dhe si rritet te konsumatorët me marrëveshje.
– Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duhet të rishikojë kartat teknologjike të prodhimit dhe kontratat që zbatohen me fermerët e qumështit, duke kontrolluar edhe faturat fiktive.
– Drejtoria e Doganave duhet të verifikojë kodet doganore sipas nomenklaturës që ka miratuar dhe të përputhë mallrat e çdoganuara me realitetin.
Këto ndërhyrje do të ofrojnë atë që meriton tregu, duke vendosur një lojë të pastër të tregtisë së lirë dhe duke krijuar një marrëdhënie të re midis prodhuesve të qumështit dhe përpunuesve. Aktivizimi i këtyre institucioneve dhe sqarimi i dyshimeve të arsyeshme për marrëveshje korruptive do t’i ofrojnë konsumatorit një produkt origjinal, duke i dhënë fund problemeve të cilësisë dhe çmimit.
2. Veprimi Direkt nga Blegtorët dhe Konsumatorët
blegtorët dhe konsumatorët duhet të marrin fatin në duart e tyre duke:
1. Publikuar dhe denoncuar publikisht emrat e kompanive që mashtrojnë dhe abuzojnë.
2. Refuzuar produktet e tyre të dëmshme për shëndetin.
3. Shkatërruar çdo produkt që ata hedhin në treg, duke i çuar ato drejt falimentimit. Kjo duke u ngritur në një kauz qytetare.
Nëse kompanitë janë të përkushtuara për tregti të ndershme, le të veprojnë si të tillë; nëse jo, meritojnë pasojat.
Mjaft është mjaft, pas 34 vitesh është koha për një ndryshim për të mirën e të gjithë shqiptarëve.