MAGAZINË

Kinezi DU YANFA është mesazh për bashkëshortët


Fshatari kinez Du Yanfa kujdeset plot pesëdhjetë e gjashtë vjet për të shoqen e tij Zhou Yu’ai, e cila është paralizuar vetëm pesë muaj pas martesës së tyre, kur ajo ishte në moshën njëzet vjeçare. Prej vitit 1959 e deri sot ai kujdeset për gruan e tij me përkushtim e durim të papërshkrueshëm.

Meqë koha e shkurtër nga martesa deri sa u sëmurë e shoqja, nuk u mundësoi të kenë as fëmijë, ai e pranoi edhe këtë pa u ankuar. Nuk deshi të kërkonte fat tjetër. E bori jetën ashtu, duke i shërbyer të shoqes së sëmurë, pa u lodhur, pa u ankuar.

Fqinjët e tij e kanë ndihmuar dhe e ndihmojnë me ç’të munden, meqë tash Du është në pleqëri të thellë. Të gjithë e konsiderojnë një njeri të mirë. Por, besoj se askush nuk e ka kuptuar plotësisht enigmën e sakrificës së tij.

Ata që mendojnë se ajo sakrificë e padëgjuar është pasojë e dashurisë për të shoqen, kanë të drejtë pjesërisht. Pa atë dashuri, motivi për atë sakrificë nuk do të mund të gjendej. Por, për sakrifica të këtilla nuk mjafton vetëm dashuria. Me siguri që ka pasur edhe shumë burra të tjerë që i kanë dashur shumë gratë e veta, por kur ato janë sëmurë nga sëmundje të pashërueshme, si Zhou Yu’ai (ose kur kanë vdekur) ata kanë kërkuar fat të ri. Jam i bindur se nuk është as sakrificë e nxitur nga besimi fetar.

As nga ndonjë interes ekonomik. Pra, çka është? Ma merr mendja se është një mesazh. Mesazh se cila është mundësia e njeriut në këtë lloj sakrifice, kur e ka bindjen se duhet të veprojë në atë mënyrë.

Rrjedhimisht, mesazh sublim për besnikërinë bashkëshortore. Vetë fakti që një fshatar i varfër, anonim, në pleqëri të thellë, bëhet protagonist i medieve anekënd botës, dëshmon se ai është shndërruar në një mesazh, në këtë kohë e në këtë botë, ku edhe dashuria e sinqertë dhe besnikëria bashkëshortore janë në krizë. Plaku Du është mesazhi se si mund të lartësohet njeriu moralisht.

Ne vetëm mund të përfytyrojmë se si duket jeta e këtij burri, i cili më shumë se gjysmë shekulli kujdeset pa u ankuar e pa u lodhur për gruan e vet, e cila është tërësisht e paralizuar. Si i rrjedhin ditët, si i rrjedhin netët? Çka mendon ai për jetën e vet? Çka mendon për ata që tradhtojnë gratë e tyre, edhe kur ato janë plotësisht të shëndetshme? Çka mendon ky burrë për ata që i keqtrajtojnë gratë e tyre? Pra, pyetje mund të bëhen shumë, por përgjigje është vetëm një: atë përgjigje e di vetëm plaku i heshtur Du Yanfa.

Duket se atë përgjigje të vërtetë ai do ta marrë me vete, duke lënë prapa vetes një përmendore të padukshme të moralit e dashurisë së pastër njerëzore. Kjo përmendore e padukshme mund të jetë më mbresëlënëse se sa Taxhmahalli i Shazhohanit në Agra, e cila është njëra nga simbolet e një burri për gruan e vet dhe një nga mrekullitë e botës.

Por, përmendorja e Shazhohanit për të shoqen e vdekur, ishte jo vetëm respekt për dashurinë, por edhe vetërespekt, i materializuar edhe si vetëpromovim. Prandaj, nga aspekti i sakrificës dhe modestisë, kurrsesi nuk mund të krahasohet me dashurinë dhe sakrificën e Du Yanfas. Sakrifica e Du Yanfas për gruan e vet të dashur është më e madhe edhe se sa e dashuria e Menelaut për Helenën, për të cilin ai provokoi një luftë të gjatë e tragjike. Por, edhe Menelau e bëri sakrificën jo vetëm për dashurinë ndaj gruas së vet, po edhe më shumë për të marrë satisfaksionin për tradhtinë që iu bë. E pra, as dashuria e Cezarit për Kleopatrën, nuk ka në vete një mesazh sublim, si dashuria e fshatarit të varfër kinez, sepse ajo e Cezarit ishte mahnitje nga bukuria e Kleopatrës dhe më tutje ambicie për ta forcuar fronin e Romën. Prandaj, nga mesazhi moral dhe sarifica për dashurinë e vërtetë ndaj gruas legjitime, një fshatar i thjeshtë kinez, është më domethënës se ata alamet burrash që kanë tronditur dhe drejtuar rrjedhat e historisë.

Njerëz, nëse doni që të edukoni gjeneratat e reja, duke afirmuar vlerat e dashurisë së sinqertë, sakrificës për familjen dhe për moralin e lartë, këtë shembull të fshatarit kinz Du Yanfa, futeni në librat shkollorë! Le të edukohen fëmijët e rinia me shembullin e tillë, e jo me literaturë ku kurvëria dhe tradhtia bashkëshortore është e përligjur.

Këtë shembull përmendeni edhe në ligjëratat fetare, ju dinjitarë të besimeve fetare. Zoti e ka mbyllur varganin e të dërguarve me Shpallje, por besoj se vazhdon të na sjellë shembuj të sjelljes së mirë të njerëzve.

Plaku Du Yanfa është shembull frymëzues për secilin njeri që kupton se çka është dashuria, sakrifica dhe durimi në jetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button