Klajdi Mustaj, polici hero që shpëtoi katër jetë

Klajdi Mustaj është polici hero që mbrëmjen e kaluar shmangu një tragjedi në Fier falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe guximtare duke shpëtuar katër të rinj pas një aksidenti të rëndë rrugor.
Ngjarja ndodhi në zonën e Qafë Koshovicës, ku një automjet tip “Benz” humbi kontrollin, u përplas me një pishë anës rrugës dhe përfundoi i përmbysur, duke shpërthyer menjëherë në flakë. Sipas dëshmive, në automjet ndodheshin katër persona të rinj, të cilët mbetën të bllokuar brenda.
Efektivi Klajdi Mustaj, i cili ndodhej pranë vendit të aksidentit, nuk priti mbërritjen e shërbimeve zjarrfikëse, por ndërhyri menjëherë, duke hyrë mes flakëve dhe duke nxjerrë të gjallë katër të rinjtë e plagosur nga makina që po digjej.
Një qytetar që ndodhej në vendngjarje ka filmuar momentin dramatik të ndërhyrjes së policit dhe ka dëshmuar se falë guximit dhe reagimit të tij të shpejtë, u shmang një tragjedi e rëndë.
Të plagosurit janë transportuar në spital dhe vetëm njëri prej tyre ndodhet aktualisht në rrezik për jetën.
Klajdi, heroi i kësaj ngjarje në një prononcim ka treguar se shpëtimi i të rinjve edhe pse me shumë vështirësi, ishte një veprim njerëzor pasi ata e meritonin të jetonin.
Ai ka treguar se i vetëm ka ndërhyrë për të shpëtuar të rinjtë, ndërkohë që të tjerët e shihnin dhe askush s’e ndihmonte./JOQ
Mesazhi i Klajdit:
“Nuk e di si tju falenderoj. Ju shpërblefte Allahu, me keni lumturuar shum me keto mesazhe kaq tmira edhe pse ata njerez e meritonin te shpetonin ! Eshte njeveprim njerzor mbi te gjitha pavarsisht punës qe bëje mes shum vështirsish i kam nxjerr nga makina ! Ku askush sme ndimonte vetm rrinin shikoni!! Allahu jau shperblefte !! Qe jeni me ne. Une jam polici Klajdi Mustaj. Faleminderit shum shum Allahu ju dhent vetm sevape dhe saber InshaAllah!









