Kosova fitore spektakolare ndaj yjeve të Suedisë, Gyokeres dhe Isak

Kosova ka dhuruar spektakël dhe ka marrë një fitore të madhe 2-0 ndaj Suedisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke u rikthyer fuqishëm pas humbjes ndaj Zvicrës dhe kritikave të shumta që pasuan atë ndeshje.
Dardanët zhvilluan një pjesë të parë perfekte, duke treguar karakter, forcë dhe efikasitet në kundërsulme. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 25-të. Dion Gallapeni nisi aksionin dhe asistoi bukur për Elvis Rexhbecajn, i cili pas dy tentativave arriti të mposhtë portierin suedez Robin Olsen, duke ndezur entuziazmin e tifozëve në “Fadil Vokrri”
Vetëm pak minuta më vonë, Kosova shënoi edhe golin e dytë, sërish pas një kundërsulmi model. Kapiteni Vedat Muriqi tregoi gjithë fuqinë dhe saktësinë e tij me një realizim spektakolar, duke dyfishuar epërsinë dhe duke vulosur një pjesë të parë për t’u mbajtur mend.
Me këtë fitore, Kosova jo vetëm që merr tri pikë shumë të rëndësishme në grupin kualifikues, por edhe rikthen besimin dhe atmosferën pozitive tek tifozët, duke treguar se djemtë e Fodës janë të gatshëm të luftojnë për objektiva të mëdha.








