5 kulla të reja nisin të ngrihen pranë digës së Liqenit Artificial në Tiranë

Ngjitur me digën e Liqenit Artificial në Tiranë ka nisur ndërtimi i një kompleksi të ri masiv me kulla. Sipas një raportimi të Kapitali.al, projekti i quajtur “Tirana Lake” parashikon ngritjen e 5 kullave 17-katëshe, me një sipërfaqe ndërtimi që arrin në 228 mijë metra katrorë dhe pas projektit është ndërtuesi Armand Lilo.
Kompania ndërtuese Building Construction Invest ka blerë një pjesë të truallit, rreth 2,100 m² nga shteti përmes një kontrate me Ministrinë e Financave. Çmimi i paguar ka qenë 143 milionë lekë, ose afro 68 mijë lekë për metër katror. Në total, projekti shtrihet mbi një sipërfaqe prej 32,500 m², duke e bërë një nga zhvillimet më të mëdha ndërtimore në zonën e Liqenit Artificial.
Ky zhvillim i ri i shtohet valës së ndërtimeve rreth liqenit, që prej vitesh kanë shkaktuar kundërshtime publike për mbingarkimin urbanistik, tkurrjen e hapësirave të gjelbëra dhe sidomos për rrezikun që i kanoset digës.

Është domethënëse fakti që në vitin 2015, socialistët protestuan për lejet e dhëna nga Lulzim Basha, kundër një projekti të ngjashëm të kompanisë Gener 2.
Madje edhe Erion Veliaj, atëherë kryetar i Bashkisë së Tiranës, paralajmëronte se ndërtimi nën digë mund të rrezikonte sigurinë e saj. Por pas vendimit të Gjykatës Administrative, e cila e konsideroi lejen të ligjshme, zëri i kundërshtimit u shua dhe më pas socialistët vetë nisën të japin leje për komplekse të ngjashme.

Me projektin “Tirana Lake”, i cili përfshin 5 kulla të reja, zona poshtë digës së Liqenit Artificial pritet të kthehet përfundimisht në një kantier me ritme të shpejta ndërtimi. Në vend të “mbrojtjes së liqenit”, siç premtonte dikur mazhoranca socialiste, qytetarët shohin një tjetër projekt betonizimi, që po ndryshon fizionominë e hapësirës më të gjelbër të kryeqytetit.









