Përmbysja e piramidës së popullsisë/ Pensionistët e rinj 23.6% më shumë se kontribuuesit e rinj

Numri i pensionistëve të rinj në skemën e sigurimeve shoqërore po rritet shumë më shpejt se numri i kontribuuesve të rinj në skemë, një trend që pritet të vijojë edhe në të ardhmen për shkak të strukturës së popullsisë drejt plakjes.
Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se numri i personave që trajtohen me pension pleqërie në 2025 ishin 641,085 ose 33,518 mijë më shumë se në vitin 2024, (+6%).
Në anën tjetër numri i kontribuuesve në skemë arriti 870,964 persona më një shtesë prej 27,097 ose rreth 3%.
Shifrat tregojnë se numri i personave që iu shtuan sistemit si pensionistë ka tejkaluar në mënyrë të ndjeshme numrin e qytetarëve të rinj që hyjnë si kontribuues përmes punësimit. Në vitin 2025 numri i pensionistëve të rinj në skemë ishte 23.6% më shumë se kontribuuesit.
Ndryshe nga tendenca e viteve të mëparshme, skema e sigurimeve u përball vitin e kaluar me një valë daljesh në pension, me 33,518 përfitues të rinj. Përgjatë 2015-2024 numri i shtesë e pensionistëve të rinj në skemë luhatej nga 15-17 mijë persona, por në 2025 ky tregues është dyfishuar.
Kjo përmbysje e raporteve nënkupton se për çdo 100 punonjës të rinj që filluan të paguanin sigurime në 2025, skemës iu shtuan rreth 124 pensionistë të rinj.
Plakja e popullsisë dhe vala e daljes në pension po ecin shumë më shpejt sesa aftësia e tregut të punës për të thithur breza të rinj. Por presioni financiar mbi skemën e sigurimeve po mbahet nën kontroll, nga masa e ulët e pensioneve të reja.
Vala e bumit të lindjeve, brezi i viteve 1960, i cili përkon me periudhën e rritjes më të lartë demografike në Shqipëri, po mbërrin tani moshën e pensionit.
Nga ana tjetër emigracioni i forcës së re të punës, largimi i të rinjve në moshë pune drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe më gjerë ka tkurrur ndjeshëm bazën nga ku tregu shqiptar i punës mund të thithë kontribuues të rinj.
Prej vitesh Shqipëria po vuan nga një rënie e vazhdueshme e numrit të lindjeve. Kjo do të thotë se numri i të rinjve që mbushin moshën 18 apo 22 vjeç dhe hyjnë për herë të parë në tregun e punës është çdo vit e më i vogël se sa brezat që dalin në pension.
Gjithashtu fenomeni i punësimit në të zezë vijon të ndikojë negativisht kontribuuesit e rinj. Shumë të punësuar sezonal në turizëm dhe tjerë të vetëpunësuar nuk janë të përfshirë në skemën e sigurimeve./ Monitor











