Kriza e misrit në Fier/ Fermerët: “6 kuintalë për dynym na nxjerrin vetëm 0 me 0, kostot janë rritur”

FIER – Për fermerët e Fierit, sezoni i misrit po mbyllet me shqetësime për rendimentin, kostot e larta dhe mungesën e fitimit. Në shumë parcela, prodhimi këtë vit është më i ulët, ndërsa shpenzimet për kultivimin e tokës janë rritur.
Fermerët thonë se për të dalë në pikën e barazimit, pra për të mbuluar vetëm kostot e prodhimit, nevojiten rreth 6 kuintalë misër për dynym. Nën këtë nivel, sipas tyre, fermeri del me humbje, ndërsa edhe në nivele më të larta fitimi mbetet i kufizuar për shkak të shpenzimeve.
“Me 6 kuintalë për dynym dalim 0 me 0. Nuk kemi fitim”, shprehen fermerët, duke theksuar se për të siguruar të ardhura duhet një rendiment dukshëm më i lartë.
Situata ndryshon nga një parcelë në tjetrën. Sipas fermerëve, në tokat ku janë kryer punimet normale dhe është mbjellë misër, prodhimi ka arritur rreth 8 kuintalë për dynym. Në parcelat ku janë kryer më shumë punime dhe është investuar më tepër për përgatitjen e tokës, rendimenti ka shkuar deri në 10–11 kuintalë për dynym.
Por rritja e prodhimit shoqërohet edhe me rritje të shpenzimeve.
Thatësira dhe mungesa e vaditjes
Një nga faktorët që fermerët lidhin drejtpërdrejt me rendimentin e ulët është thatësira dhe mungesa e vaditjes.
Sipas tyre, misri kërkon furnizim të rregullt me ujë në faza të caktuara të zhvillimit dhe mungesa e tij ndikon drejtpërdrejt në prodhim.










Fermerët thonë se investimet dhe infrastruktura e vaditjes mbeten një nga problemet kryesore me të cilat përballen çdo sezon.
Nafta dhe inputet bujqësore rrisin kostot
Përveç problemeve klimatike, fermerët përballen edhe me kosto të larta për naftën, punimin e tokës, farat, plehrat dhe pesticidet.
Ata thonë se çdo ndërhyrje në parcelë ka një kosto dhe se, në fund të sezonit, këto shpenzime llogariten në çmimin real të prodhimit.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej tyre është cilësia e pesticideve që tregtohen. Fermerët pretendojnë se në treg ka produkte që nuk japin efektin e pritshëm, ndërsa çmimi i tyre mbetet i lartë.
Për këtë arsye kërkojnë kontrolle më të rrepta mbi cilësinë e pesticideve dhe inputeve bujqësore që përdoren nga fermerët.
“Pa subvencione, bujqësia po bëhet gjithnjë më e vështirë”







Fermerët kërkojnë gjithashtu më shumë mbështetje nga shteti për bujqësinë.
Sipas tyre, kostot e larta dhe rendimentet e paqëndrueshme e bëjnë të vështirë planifikimin e sezonit të ardhshëm dhe sigurimin e një të ardhure të qëndrueshme nga toka.
Ata kërkojnë politika mbështetëse që të marrin në konsideratë kostot reale të prodhimit, si dhe masa për vaditjen dhe kontrollin e inputeve bujqësore.
Në fund të sezonit, bilanci që fermerët bëjnë për misrin është i thjeshtë: me rreth 6 kuintalë për dynym mbulohen kostot, ndërsa fitimi nis vetëm kur rendimenti kalon këtë nivel.
Për shumë prej tyre, megjithatë, prodhimi i këtij viti dhe kostot e larta kanë bërë që puna në parcelë të mos përkthehet në të ardhura të mjaftueshme.
Fermerët kërkojnë ndërhyrje konkrete për të ulur kostot, përmirësuar vaditjen dhe mbështetur prodhimin vendas të misrit./ ALB365/ Xhemil Beharaj










