AKTUALITETKRYESORE

Kryengritje në bodrumet e PS: I burgosuri Veliaj sfidon Ramën nga qelia!

Zhvillimet brenda Partisë Socialiste kanë marrë ngjyrat e një seriali turk me skenar mafioz: tradhti, puç, arrestime, përgjime, vëzhgime dhe një dorë e padukshme në prapaskenë që tërheq fijet e marionetave, teksa zyrtarë dhe nëpunës detyrohen të zgjedhin se kujt do t’i binden në bashkinë e Tiranës. Më parë, dorë që udhëhiqte punët ishte e Erion Veliajt. Sot, ai e ka humbur lirinë, por kërkon të ruajë pushtetin.

I mbyllur në qelitë e burgut të Durrësit, nën përgjim, pa luksin e kontakteve personale dhe fjalimeve propagandistike, Erjon Veliaj ka vendosur të mos dorëzohet. Vetëm se për herë të parë në jetë, nuk e sheh armikun në radhët e opozitës, por tek njeriu që e bëri kryetar bashkie dhe i dha pushtet të pakufishëm: Edi Rama.

Me një urdhër të firmosur nga burgu, (dokumenti lart) Veliaj ka vendosur të spastrojë Bashkinë e Tiranës nga njerëzit e Ramës, duke i vënë kufij pushtetit të kryeministrit që të nesërmen që Veliaj ra në burg, nisi të marrë në duar frerët e pushtetit në bashki, duke mënjanuar nga skuadra miqtë dhe shokët e Veliajt.

Në shkresën më lart, me firmë të Erjon Veliajt është pezulluar urdhri i datës 14 Shkurt për t’ia transferuar kompetencat nënkryetares Anduela Ristani dhe se ajo zëvendësohet nga Sara Goxhaj, bashkëjetuesja e Alban Dokushit, sekretarit të përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës, që vetëm një ditë më parë ishte thirrur nga SPAK. Një sfidë e hapur, një sinjal për kryeministrin se ai nuk e ka kontrollin e plotë të bashkisë dhe që tregon se lufta brenda llojit sapo ka nisur.

Dokumenti i firmosur nga Erjon Veliaj nga qelia e burgut, për t'i transferuar kompetencat tek Sara Goxhaj

Rama i zemëruar, shkarkime në radhët e policisë bashkiake

Rama e kishte menduar ndryshe këtë kapitull të historisë. Sapo Veliaj përfundoi në qeli, ai e trajtoi Bashkinë e Tiranës si një plaçkë lufte të marrë me forcë. Vizitat e tij të shpeshta në zyrat e bashkisë – në errësirë, larg syrit të publikut – ishin një shenjë se ai donte ta kishte nën kontroll bashkinë e Tiranës, këtë qendër financiare me pushtet të pamatë.

Ai vendosi kontakte me drejtorët që gjeti në bashki dhe vendosi që të bashkëpunonte më afër me nënkryetaren Jonida Halili si drejtuese de facto. Por Veliaj, edhe nga qelia, nuk e pranon këtë skenar.

Një burim brenda bashkisë, tha për Lapsi.al se përplasja ka degraduar deri në shkarkime masive në policinë bashkiake.

Meqënëse në Bashki kemi dy nënkryetare që luftojnë për fronin, përplasja është transferuar në policinë bashkiake, ku njëri grup ushtarësh i bindet njerëzve të Veliajt dhe tjetri njerëzve të Ramës. Në këtë situatë Ramë po përpiqet të vendosë diktatin e tij me shkarkime masive dhe urdhra përjashtimi, teksa sheh që për herë të parë një nga krijesat e tij më të përulura, po rebelohet.

Këtë të enjte, lufta hyri në një fazë të re. Policia bashkiake ka marrë urdhra të kundërta. Pala që drejtohet nga Rama: mos lejoni Sara Goxhajn të hyjë në Bashki! Pala që i qëndron besnike Veliajt: Mos lejoni Jonida Halilin të hyjë në Bashki! T

ani, pas çdo dere në atë institucion, mund të gjenden dy palë militantësh që nuk i njohin më urdhrat e njëri-tjetrit. Një qytet pa kryetar, një administratë në kaos, dhe një kryeministër që po humb nervat dhe që sot në 15:00 paralajmëroi se do të shkojë vetë në bashki t’u japë drejtim punëve.

Veliaj në fundin e tij, por jo i vdekur

A ka shanse të fitojë Veliaj? Në pamje të parë, jo. Rama ka policinë, ka në anën e tij SPAK-un dhe ka mekanizmat e nevojshëm për ta fundosur përfundimisht krijesën e tij duke e shkarkuar me VKM. Dhe, për ta bërë më të qartë, SPAK i shtoi sot edhe një akuzë të re për “futjen e sendeve të paligjshme në qeli”, pasi dyshohet se gjatë ditëve të para, Lali ka mbajtur një celular në qeli me të cilin komunikonte me familjarët e tij.

Në anën tjetër Veliaj, edhe pse i rrethuar, ka një kartë të fortë në dorë: ai nuk ka më asgjë për të humbur. Dhe kur një njeri humb gjithçka, bëhet i paparashikueshëm. Në lojë është institucioni, të cilin e fitoi me mbi 150 mijë vota në zgjedhje, me mbi 30 miliard lekë buxhet në vit dhe me një rrjet besnikërie që e ka ushqyer prej vitesh.

Deri ku do të shkojë kjo betejë? A do ta shkatërrojë Rama deri në palcë kanakarin e tij politik, apo ky i fundit ka një as nën mëngë?

Kryengritja nëpër bodrume sapo ka nisur. Dhe siç ka rezultuar deri tani, përplasjet më të egra nuk ndodhin mes armiqve të deklaruar, por brenda oborrit të mbretit./ Përgatiti Dorian Kodra për Lapsi.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button