Kush është Rosenior, trajneri i ri i Chelsea: 4 vite përvojë e një kontratë e çmendur

Chelsea, pas italianit Enzo Maresca, rinis nga Liam Rosenior. Një emër surprizë si trajner i ri i Blues, por që tashmë është bërë i njohur në Europë. Në fakt, trajneri anglez ka arritur të ndërtojë suksesin e tij te Strasburgu në Francë – klub i kontrolluar nga e njëjta pronësi si Chelsea – duke e çuar skuadrën drejt një kualifikimi historik në Conference League dhe ku aktualisht Strasburgu kryeson renditjen e fazës së kompeticionit. Rosenior ka qenë në pankinën e francezëve deri më 3 janar, kur Strasburgu i tij barazoi 1-1 në transfertë ndaj Nicës. Chelsea e ka marrë për ta rikthyer në Londër, qytet që Rosenior e ka jetuar edhe si futbollist. Trajneri i ri i Blues është vetëm 41 vjeç dhe ka një përvojë prej vetëm 4 vitesh si trajner i parë.
Kush është Rosenior?
Pas një karriere si futbollist me Bristol City, Fulham, Reading, Hull dhe Brighton, Rosenior nisi të trajnonte pikërisht te Seagulls, duke drejtuar Under 23 në vitin 2018, përpara kthesës në vitin 2021 me Wayne Rooney, i cili e donte si zëvendës te Derby County. Në vitin 2022 mbetet i vetëm në krye të skuadrës pas shkarkimit të Rooney-t, duke treguar menjëherë aftësitë e tij. Për këtë arsye shpërblehet me promovimin si trajner i Hull City-t nga nëntori 2022 deri në maj 2024, përpara kalimit te Strasburgu, ku ndërton diçka të jashtëzakonshme. Pikërisht për këtë arsye Chelsea ka besuar shumë tek ai, duke i bërë të firmosë një kontratë deri më 30 qershor 2032.
Kontrata me Chelsea
Plot 6 vite kontratë për Rosenior, i cili me Strasburgun e kishte mbyllur sezonin e kaluar me një renditje në zonat europiane dhe një kualifikim historik në kupat europiane për klubin, duke kontribuar në ndërtimin e diçkaje të jashtëzakonshme. Në fakt, skuadra edhe sot ndodhet në vendin e shtatë në kampionat dhe ka mbyllur në krye fazën e parë të Conference League, duke siguruar kualifikimin direkt në fazën e 1/8-ve. Një arritje e pabesueshme që ka bindur Chelsea dhe pronësinë e saj ta marrë dhe ta sjellë në Angli për të rilindur një skuadër që dukej në duar të sigurta para shkarkimit surprizë të italianit Maresca.
Klubi anglez, përmes kanaleve të tij zyrtare, ka publikuar fjalët e para të Rosenior si trajner i Chelsea: “Ka një uri të vërtetë për fitore dhe do të jap gjithçka, çdo ditë të vetme, për ta ndihmuar këtë skuadër të konkurrojë dhe të fitojë në nivelet më të larta, për të bërë që të gjithë të jenë të bashkuar dhe krenarë që janë pjesë e Chelsea-t – thuhet në deklaratë. – Dua që tifozët tanë të jenë krenarë për atë që jemi dhe për atë që përfaqësojmë në çdo ndeshje që luajmë. Ata janë shpirti i këtij klubi futbolli të madh, historik dhe madhështor.”









