Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Evis Kushi, ka folur ditën e sotme për ndryshimet e reja në sistemin arsimor që do të përfshijnë shkollat 9-vjeçare nga shtatori, si dhe për ndryshimet që do të ketë këtë vit matura shtetërore.
Ajo tha në një intervistë në “News24” se do të hiqet fletorja e mësuesit, me qëllim që ata të jenë më të fokusuar në punën e drejtpërdrejtë me nxënësit.
Më tej ministrja tha se këtë vit hartimi i testit të maturës shtetërore do të përgatitet ditët e fundit nga një grup mësuesish me eksperiencë.
Nga viti i ardhshëm, në muajin prill sistemi 9-vjeçar do të ketë një javë pushime
“Viti i ri shkollor fillon në 12 shtator, dhe risia do të jetë që në prill kur përfundojnë periudhën e dytë të shkollës, do kenë një javë pushim nxënësit e 9-vjeçares, siç e kemi pasur dikur, nga data 3 deri në 9 prill do e kenë pushim. Kjo sepse nga Janari deri në Qershor ishte një periudhë e gjatë dhe për nxënësit dhe për mësuesit “, u shpreh Kushi.
Hiqet fletorja e mësuesve, regjistri i rëndësishëm
“Për të lehtësuar mësuesit nga disa procedura në përgatitje dokumentacionesh, duhet t’u japim më shumë kohë atyre të komunikojnë drejt për drejt me nxënësit. Për këtë vendosëm për një model të ri. Mësuesi të jetë më i fokusuar në punën e drejtpërdrejtë me nxënësit, ndaj kemi eliminuar fletoren, do ta kenë për shënime, por regjistri do të jetë i rëndësishëm sepse do t’i hedhin notat direkt në regjistër, sepse më parë i hidhnin një herë në fletore dhe më pas në regjistër. Fletorja nuk do të thotë që nuk i vlen mësuesit, se do të mbajë shënime. Dua të mos interpretohet sikur mësuesi nuk do të ketë më shumë punë, por kjo punë do jetë më shumë e fokusuar tek nxënësit ndërkohë që parimet bazë të vlerësimit mbeten po ato”, deklaroi ajo.
Disniveli midis shkollave dhe hartimi i modulit të trajnimit
“Kemi konstatuar gjatë këtyre viteve që kapacitetet e vlerësimit dhe inspektimit të institucioneve kanë qenë jo të mjaftueshme. Në këtë kuadër për të rritur kapacitete vlerësuese dhe për të patur më shumë cilësi, kemi hartuar një modul trajnimi dhe pak ditë më parë kemi certifikuar 100 vlerësuesit e parë që do bëjnë vlerësimin e jashtëm të institucioneve shtetërore. Më pas do të kemi një kapacitet prej 400 vlerësuesish. Jemi të vetëdijshëm që ka disnivel mes shkollave, në Tiranë cilësia është më e lartë, por në disa politika të fundit që kemi aplikuar synojmë pikërisht këtë, për të rritur barazinë mes cilësisë së arsimit. Jemi të lumtur që të rinjtë të reja me rezultate shumë të larta pranojnë të shkojnë në zona të largëta dhe kjo na ndihmon të kemi cilësi më të madhe”, u shpreh ministrja.
Matura shtetërore dhe ndryshimet e reja
“Matura shtetëtore është proces i gjatë më disa etapa, ne po përpiqemi që të marrim të gjitha masat që mos ndodhin problematika si rasti i Turit apo problematika të tjera. Në të gjitha gjimnazet e vendit në këtë periudhë po bëhet një punë intensive në asistimin e maturantëve dhe përgatitjes së tyre. Hartimi i testit është moment kur vëmendja jonë është maksimale. Këtë vit do jetë ndryshe, jo i parapërgatitur kohë më parë, por ditët e fundit një grup mësuesish me eksperiencë do të mblidhen dhe do hartojnë në grup në mënyrë që të kemi test që i përmbahet programi”, tha ministrja Kushi.
Dokumenti i prioritetit
“Para pak vitesh kemi bërë një reformë kurrikulare të rëndësishme, që nxënësit të mendojnë në mënyrë kritike dhe të punojnë në grup. kjo kurrikul u krijua që t’i përgjigjet nevojave që ka sot tregu. Sot nxënësit duhet të mendojnë në mënyrë kritike, problemi ishte më shumë tek mësuesit sepse ishin mësuar për shumë vite që nxënësit të mësonin përmendësh, por për këtë arsye kemi trajnuar mësuesit për t’i përshtatur me kurrikulën e re. Sapo kemi përgatitur dokumentin e prioritete, ato fusha studimi që ka nevojë vendi. Për mësuesinë, apo degët e bujqësisë apo inxhinierisë, që tregu ka nevojë por maturantët nuk preferojnë, ne kemi vendosur që ata që do shkojnë në këto degë, t’i mbështesim me reduktim apo përjashtim nga sistemi i pagesës apo dhe me bursa”, u shpreh Kushi.