POLITIKË

Lista e PS/ Ja kushti që Rama u vë kandidatëve për deputetë

Edi Rama është i shqetësuar sepse shifrat me regjistrimet në diasporë nuk janë në pritshmëritë që socialistët kishin menduar. Mbledhjet e çdo të hëne janë tashmë një ritual ku herë pas here dëgjohen edhe kushte të çuditshme.

Së fundi, Lapsi.al mëson se Rama iu ka thënë deputetëve dhe ministrave të tij, që askush të mos mendojë rikandidimin nëse nuk ka të konfirmuar minimalisht 200 kontakte në diasporë.

Pra, një deputet apo ministër aktual që aspiron të jetë në listat e garës së 11 majit duhet të ketë të paktën 200 shqiptarë jashtë vendit që votojnë për Partinë Socialiste.

Këta votues duhet të jenë të ndryshëm për secilin nga ministrat/deputetët. Nuk dihet nëse Rama do t’i qëndrojë apo jo deri në fund këtij kushti apo është thjesht një formë presioni për të vetët që të rrisin shifrat e votave në diasporë.

Kjo ka krijuar një konfuzion të brendshëm dhe i ka vendosur socialistët në një garë të çuditshme për të dorëzuar te kreu i tyre listën nominale me njerëzit që kanë.

Burimi saktësoi për Lapsi.al se nuk janë dorëzuar ende listat finale dhe nuk dihet se si janë deri më tani raportet, cili nga ministrat e deputetët i ka plotësuar të paktën 200 emrat që ka kërkuar Edi Rama. 

Afati i fundit për regjistrim për ata që janë jashtë vendit është data 4 mars 2025

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button