Fier – Finalizohet operacioni policor i koduar “Room”, për goditjen e një tjetër rasti të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Zbulohet një ambient i veçuar në një lokal në lagjen “Liri”, i përshtatur me makineta, celularë dhe pajisje të tjera, për lojëra fati të ndryshme.
Sekuestrohen 3 makineta “Apex”, 4 dekoderë me kanale televizive që transmetonin lojëra, 1 laptop dhe 2 celularë.
Arrestohet menaxheri i lokalit, i cili u kap në flagrancë në këtë ambient, dhe punohet për kapjen e pronarit.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të inteligjencës policore, të siguruara në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, se në një lokal në lagjen “Liri”, ishte veçuar një ambient që ishte përshtatur me pajisje elektronike, për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me ata për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, finalizuan operacionin policor të koduar “Room”.
Nga kontrollet në brendësi të këtij lokali, u zbulua një dhomë e veçuar ku ishin vendosur makineta “Apex”, lap top, dekoderë dhe celularë, nëpërmjet të cilave ndiqeshin dhe luheshin lojëra fati, në kundërshtim me ligjin.
Në vijim të veprimeve procedurale u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi F. P., 37 vjeç, banues në Fier, menaxher në këtë lokal, si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. K., 47 vjeç, banues në Fier, pronar i lokalit. Punohet për kapjen e 47-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.