Pas mbërritjes në portin e Vlorës të anijes e cila do të prodhojë energji elektrike, disa qytetarë dhe ambientalistë kanë dalë sot në protestë. Qytetarët u shprehën se gjeneratorët lundrues do të djegin qindra tonë me naftë dhe do të shkaktojnë ndotje të madhe në det duke dëmtuar faunën mesdhetare.
Me pankartat ‘Nuk e japim Vlorën’, qytetarët kanë kundërshtuar ankorimin e anijes në port.
“Duhet të jemi më prezentë për këtë çështje sepse është një çështje madhore. Unë bashkë me disa kolegë këtu, kemi qenë në protesta të viteve 2005. Qytetarët e Vlorës reaguan fuqishëm në atë periudhë dhe nuk është se nuk pati rezultat. Ne po e ringrejmë Aleancën për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës. Në atë periudhë arritëm të ndalonim tre TEC-et e planifikuara. Në dijeninë time si ambientalist, ato platforma nëse vijnë këtu, kanë vetëm një të ardhme, të shkojnë për skrap. E ardhmja është e energjive të rinovueshme. Vlora dhe gjithë Shqipëria ka kaq shumë diell dhe kjo është e vetmja zgjidhje. Kjo protestë na shërben për të riorganizuar Aleancën për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës. Rezistenca do vazhdojë derisa qeveria shqiptare të heqë dorë nga prodhimi i energjisë duke përdorur naftën. Protesta u bë sot sepse sot në mëngjes ka arritur një prej anijeve që ka të instaluar brenda supër gjeneratorë gjigandë që do djegin 600 tonë naftë në ditë. Është një tmerr që qyteti ynë nuk e meriton”-u shpreh njëri prej ambientalistëve të pranishëm në protestë.