Mesazh nga Diaspora: Autokolonë nga Londra drejt Shqipërisë për protestën e 20 qershorit

Një grup qytetarësh shqiptarë nga diaspora kanë njoftuar organizimin e një autokolone me automjete që do të udhëtojë nga Londra drejt Shqipërisë, me synimin për të qenë të pranishëm në protestën e planifikuar të shtunën, më 20 qershor 2026, në orën 18:00.
Sipas organizatorëve, nisja do të bëhet nga Londra në drejtim të Belgjikës, ku fillimisht autokolona do të përbëhet nga 45 automjete. Gjatë rrugëtimit, asaj pritet t’i bashkohen edhe qytetarë shqiptarë me automjetet e tyre nga Belgjika, Gjermania, Zvicra, Italia, Austria dhe vende të tjera evropiane.
Autokolona pritet të mbërrijë në Shkodër të premten në mbrëmje ose të shtunën në mëngjes. Sipas njoftimit, në Shkodër do të vendoset një banderolë e madhe që do të shoqërojë autokolonën deri në zonën e Laprakës në Tiranë. Më pas, pjesëmarrësit do të vazhdojnë në këmbë drejt Kryeministrisë për të marrë pjesë në protestën që po mbahet prej disa ditësh në vend.
Organizatorët kanë bërë thirrje për shpërndarjen e këtij njoftimi në të gjitha komunitetet shqiptare në diasporë, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes dhe mobilizimit qytetar. Në fund, mesazhi mbyllet me thirrjen: Të gjithë bashkë ia dalim. Sot më shumë, nesër edhe më shumë. Forca Shqipëria ime!








