Ministrja belge: Po negociojmë me Shqipërinë e Kosovën për marrjen e burgjeve me qera

Ministrja belge e Migracionit, Anneleen Van Bossuyt, po shqyrton “çdo zgjidhje të mundshme” për emigrantët e parregullt të kthyer nga Belgjika, duke përfshirë edhe marrjen me qira të hapësirave të burgjeve jashtë vendit për të strehuar të burgosurit e huaj.
Belgjika po kërkon të strehojë të burgosur të huaj jashtë vendit si pjesë e masave të saj kundër emigracionit dhe është e hapur për partneritete me vendet në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë, tha Ministrja e vendit për Azilin dhe Migracionin, Anneleen Van Bossuyt, për programin “12 minuta me” të Euronews.
E pyetur në lidhje me misionin e saj të fundit në Shqipëri dhe Kosovë për të shqyrtuar mundësinë e marrjes me qira të hapësirave të burgjeve për të strehuar emigrantët e parregullt të dënuar për krime në Belgjikë, Van Bossuyt tha: “Po shqyrtojmë çdo zgjidhje të mundshme për të rritur shkallën e kthimit. Kjo është një nga mundësitë që po shqyrtojmë së bashku me ministrinë e drejtësisë”.
Ajo shpjegoi se bisedimet me Shqipërinë synojnë strehimin e shtetasve shqiptarë që mbahen aktualisht në burgjet belge, ndërsa në Kosovë, qeveria e saj po kërkon të strehojë “njerëzit që qëndrojnë në burgjet tona”, pavarësisht nga kombësia e tyre.
Qeveria daneze tashmë po e provon një plan të tillë, duke i dërguar të huajt e urdhëruar të largohen nga vendi për të përfunduar dënimet e tyre në Kosovë, nga ku pritet të kthehen në vendet e tyre të origjinës.
Van Bossuyt shprehu gjithashtu gatishmëri për të eksploruar partneritete përtej Ballkanit Perëndimor.
“Ne kemi qenë atje (në Shqipëri dhe Kosovë), kemi folur me ministrat përgjegjës, por ndoshta në të ardhmen do të ketë edhe mundësi ose vende të tjera. Por është e rëndësishme të shohim se ku mund ta kemi këtë lloj zgjidhjeje”, tha ajo.
E pyetur nëse qeveria e saj do të shqyrtonte zgjidhje të ngjashme për emigrantët që qëndrojnë në Belgjikë në mënyrë të parregullt, por nuk janë dënuar për krime, Van Bossuyt tha se Belgjika mund të shqyrtojë mundësinë e përdorimit të një marrëveshjeje të re të BE-së që u lejon shteteve anëtare të dërgojnë emigrantë në të ashtuquajturat “qendra kthimi” në vendet e treta.
Van Bossuyt mbrojti gjithashtu atë që ajo e përshkroi si një kthesë të kohëve të fundit në politikën e azilit të Belgjikës, e cila është kritikuar ashpër vitet e fundit nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut.











