Çfarë dimë për atë që shkaktoi shpërthimin dramatik të së shtunës në urën e Kerçit? Ka shumë teori, por jo të gjitha janë shumë të besueshme. Misteri mbetet.
Rusia nxitoi të sugjeronte se kjo ishte shkaktuar nga një kamion bombë. Por, nuk tha se kush e orkestroi atë. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, tha se përgjigja ekstaltuese e Ukrainës tregoi “natyrën e saj terroriste”. Megjithatë as ajo nuk e akuzoi Kievin.
Pamjet e kamerave të sigurisë të publikuara në mediat sociale treguan një kamion që dyshohet se ishte nga qyteti rus i Krasnodarit duke lëvizur në perëndim përtej urës në momentin e shpërthimit.
Zyrtarët rusë identifikuan një 25-vjeçar nga Krasnodari, Samir Yusubov, si pronar të kamionit. Ata thanë se një i afërm i tij, Makhir Yusubov, ishte shoferi. Por ekzaminimi nga afër i pamjeve duket se tregon se kamioni nuk kishte asnjë lidhje me shpërthimin.
Pamjet tregojnë një top zjarri të madh që shpërthen nga pas dhe në njërën anë të kamionit teksa ai fillon të ngjitet në një pjesë të ngritur të urës. Shpejtësia me të cilën teoria e bombës në kamion filloi të përhapet në qarqet ruse ishte e dyshimtë. Ato sugjeronin se Kremlini preferonte një akt terrorizmi sesa mundësinë që ky ishte një akt i guximshëm sabotimi i kryer nga Ukraina.
Flet eksperti
“Kam parë shumë pajisje shpërthyese të improvizuara në kohën time” – thotë një ish-ekspert i eksplozivëve të ushtrisë britanike. “Kjo nuk duket si një e tillë” – shtoi ai.
Një shpjegim më i besueshëm, sipas tij, është një shpërthim masiv poshtë urës. Ndoshta është përdorur një lloj droni klandestin detar.
“Urat përgjithësisht janë të dizajnuara për t’u rezistuar ngarkesave. Ato nuk janë krijuar përgjithësisht për t’i rezistuar shpërthimeve nga poshtë. Unë mendoj se ky fakt është shfrytëzuar në sulmin ukrainas” – tha ai.
Disa vëzhgues kanë vërejtur se në një nga videot e tjera të kamerave të sigurisë, duket diçka si valë e harkut të një varke të vogël. Ajo shfaqet pranë një prej mbështetësve të urës një sekondë përpara shpërthimit.
Çfarë lloj anijeje mund të jetë?
Më 21 shtator, në kanalet ruse të mediave sociale qarkulluan imazhe që tregonin një varkë misterioze pa pilot që u hodh në breg pranë bazës detare ruse në qytetin e Krimesë të Sevastopol.
Ai i ngjante një kajaku të madh të mbuluar me ngjyrë të zezë. Ishte kompletuar me sensorë të montuar dhe një pajisje të bardhë, si periskop sipër. Sipas raporteve lokale, anija u shty në det dhe u hodh në erë.
“U zbulua një pjesë e një automjeti pa pilot”, – citohet të ketë thënë guvernatori i Sevastopolit të kontrolluar nga Rusia. “Pas përfundimit të studimit, ky aparat u shkatërrua në det nga një shpërthim. Askush nuk u lëndua.”
Kjo nuk është hera e parë që qarkullojnë raporte që sugjerojnë se Ukraina ka akses në pajisje të tilla klandestine.
“Ka raporte të bazuara mirë që sugjerojnë se ukrainasit kanë në përdorim automjete detare me telekomandë për mbikëqyrje dhe goditje”, – më tha eksperti britanik i eksplozivëve. “Ky koncept operacional është zhvilluar me vite, jo me muaj.”
Nëse kjo është mënyra se si Ukraina arriti të sulmojë Urën e Kerçit, qindra milje nga territori i kontrolluar nga ukrainas, atëherë ky është një nga operacionet më ambicioze të Kievit deri më tani.
Teoria e përplasjeve të brendshme në Moskë
Por përveç disa pëshpëritjeve në kryeqytet, askush nuk po e konfirmon këtë teori. Në fakt, në një deklaratë mbrëmë, kreu i zyrës së Presidentit Zelensky, Mykhailo Podolyak, dukej se miratoi teorinë e Moskës për bombën në kamion.
“Përgjigjet duhet të kërkohen në Rusi”, – tha ai në një deklaratë. Shpërthimi, tha ai, ishte rezultat i përplasjeve të brendshme midis pjesëve të ndryshme të institucionit të sigurisë ruse.
“Ky është një manifestim konkret i konfliktit midis FSB [shërbimit të brendshëm të inteligjencës së Rusisë] / PMC [kontraktorëve ushtarakë privatë, si Grupi Wagner] nga njëra anë dhe Ministrisë së Mbrojtjes / shtabit të përgjithshëm të Federatës Ruse nga ana tjetër” – tha ai.
A dinte zoti Podolyak diçka që të gjithë të tjerët nuk e dinin? Apo ndoshta po trondiste Moskën, duke luajtur me nervat jashtëzakonisht të tensionuara të ekspozuara nga pengesat e fundit të Rusisë në fushën e betejës në Ukrainë?
E vërteta është se ne nuk e dimë.
Ashtu si episodet e mëparshme – duke përfshirë fundosjen e anijes kryesore të Flotës së Detit të Zi të Rusisë, Moskva, dhe sulmin misterioz në gusht që shkatërroi një bazë ajrore ruse në Krime – Kievi është shumë i lumtur që i bën të gjithë të hamendësojnë.
E gjithë kjo është pjesë e një fushate shumë të suksesshme informacioni që Ukraina ka zhvilluar, së bashku me përpjekjet e saj ushtarake, që nga pushtimi i plotë i Rusisë në shkurt.
Tani për tani, duket se po funksionon. ©Marrë nga BBC, përshtati në shqip LAPSI.al