Sunday, October 13, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKULTURËMOS I SHANI GOMERËT…

MOS I SHANI GOMERËT…

Fabul nga Thoma Goga

   Një ditë prej ditësh mbreti i pyllit, Luani  bashkë me  ortakët e tij; Ariun dhe Tigrin, vendosën të hapnin një biznes të madh. Për këtë arsye ngritën një kompani gjigante me emrin: “Tre musketierët”. Ishin bërë të njohur si “oligarkë” për lidhjet e tyre me “ata lartë”. Filluan të merrnin tendera, koncesione. Po shfrytëzonin burimet natyrore; ujin, frutat, mermerin, gurët dekorativë. Pylli u gjelbërua me hashash.
 
Jeta në pyll ngjante si parajsë. “Klasa punëtore” ishte e lumtur me pagat që  merrnin. Punët po shkonin mirë e më mirë. Të ardhurat po rriteshin me hapa gjigante. Mirëpo dardha e ka bishtin prapa. Në zgjedhjet e radhës, qeveria “e madhe” e pyllit  u ndërrua. Nga “fiku” ranë, ikën e nuk dihet ku vanë. Ata “lartë” humbën pa nam e nishan. Erdhi në fuqi një qeveri e re. U mbetën shuma të mëdha parash pa marrë nga punët publike. Qeveria e re i kishte thënë STOP korrupsionit. Shkonte ditë për ditë Luani të zgjidhte fondet e bllokuara, por hiç.

 E provoi Ariu dhe u kthye me bishtin ndër shalë. E njëjta gjë ndodhi edhe me Tigrin, që mburrej se kishte miq edhe në qeverinë e re. Për dreq, punët po shkonin keq e më keq.  

 Një ditë në zyrat e kompanisë trokiti kryegomari, që ishte kryehamall për transportin e mallrave. Kërkoi lekë për pagat e brigadës.
  • Ehu, -ulëriu Ariu,- ne po na digjet mjekrra, ti kërkon të ndezësh duhanin. Ta dish edhe ti; na kanë bllokuar llogaritë bankare “ata lart”.
  • A të shkoj unë t’i zhbllokoj?- ua ktheu Gomari.
  • Ne kemi shkuar ditë për ditë e nuk na hapin derën.
  • Kemi bërë gati edhe “kafen” për shefat, -u hodh Tigri,- dhe prapë jemi kthyer me bishtin ndër shalë.
  • Ato llogari i zgjidh vetëm unë,- nguli këmbë Gomari. – Merrem vesh mirë me ta.
  • Ti nuk je në vete, – tundi kokën Luani.- Ata nuk pyetën për mua, vaj halli për ty.
  • Ja keni për të parë, – tha Gomari dhe u nis.
    “Tre musketierët” filluan të qeshnin me gomarllëkun e Gomarit. Pas një ore veshgjati u kthye me çeqet e financës varur në qafë. Këtë herë qeshte veshgjati vesh më vesh, kurse “Tre musketierët” heshtën.
  • Na thuaj si e zgjidhe problemin?- pyeti seriazisht mbreti i pyllit, Luani.
  • Po jam “dhipllomat” unë, – tha Gomari. – Ju nuk e dini se nëpër ato zyra janë të gjithë pasardhësit e mi?!…
    Këtu Gomari, për herë të parë në jetën e tij, e vuri pikën mbi “i”…
    (TH.G.)
POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME