Moti i ftohtë shkakton dëme në serat e mbjella me domate.

“Na mori në qafë goli i dytë… një e hëngrëm me lakrën prej mos-shitjes së saj, tani dëmi i dytë: dy dynym domate të thara, të mbjella prej javësh , dëm disa miljonesh .”
Këto janë fjalët e Çlirim Balit, fermer nga fshati Balaj, Komuna Karbunarë. Nuk janë ankesa politike, por dëshmi e një realiteti që po përjetojnë sot dhjetëra e qindra fermerë.
Të gjithë i kemi parë kryetarë njësish, bashkie, deputetë të zonës, ministra e deri te kryeministri, duke bërë foto e video nëpër sera kur prodhimi ecën mirë dhe shitet si “model suksesi”. Por kur vjen dita e zezë, kur prodhimi nuk shitet, kur përmbytjet shkatërrojnë mundin dhe tani kur ngricat thajnë serat, askush nuk shfaqet për të dokumentuar humbjet reale.
Dy dynym domate të shkatërruara nuk janë thjesht bimë të thara. Janë para të hedhura, kredi të pashlyera, punë e humbur dhe familje që mbeten pa të ardhura. Pas çmimeve qesharake, paragjykimit të produktit vendas dhe mos-shitjes, ky është goditja e radhës.


Fermerët nuk kërkojnë kamera për propagandë, por prani kur kanë nevojë. Shteti duhet të dalë nga zyrat, të shkojë në terren, të verifikojë dëmet dhe të mbështesë ata që mbajnë gjallë bujqësinë. Pa fermer nuk ka ushqim, dhe pa ushqim nuk ka as siguri, as ekonomi.









