
Shqipëria elektrizoi Europën në natën e dytë të Eurovisionit me dinjtet, duke siguruar edhe biletën për finalen e madhe të shtunën. Me ”Nan”, këngëtari Alis nuk performoi thjesht një këngë, ai ndali frymën e gjithë arenës me zë, performancë dhe forcën e një tradite shqiptare por të modernizuar për një plagë siç është ikja e fëmijëve dhe mbetja e nënave vetëm.
Në kulmin e emocioneve, pranë tij u shfaq aktorja e mirënjohur e filmit dhe teatrit, Rajmonda Bulku me një interpretim drithërues që i dha skenës peshën e një rrëfimi të paharrueshëm. Vlerësimet pozitive u forcuan edhe më shumë gjatë provave gjenerale, ku performanca e artistit shqiptar mori reagime entuziaste nga publiku dhe kritikët e festivalit.
Kënga nisi me skenën e parë, të idesë së një piste avioni, që simbolizon ikjen e shqiptarëve nëpër botë, por është një rrugë që pret kthimin e tyre. Më pas shfaqen në ekranin e madh nënat nga krahina të ndryshme të Shqipërisë. Një tjetër element është edhe veshja e këngëtarit, në ngjyrë të zezë me shkëlqim, në formën e shqiponjës. Po ashtu edhe veshja e aktores Bulku, në traditën popullore. Performanca u kompletua me një gjetje të backvokalëve në formë ilirike dhe një DARK performancë të një niveli të lartë. Të shtunën, më 16 maj, Alis do të ngjitet sërish në skenën e Eurovision për të sjellë edhe një herë interpretimin e tij, në natën më të rëndësishme të festivalit.
Në finalen e madhe këtë mbrëmje u kualifikuan edhe:
Bullgaria
Ukraina
Australia
Rumania
Norvegjia
Malta
Qipro
Danimarka
Çekia


Në finale do të jenë automatikisht edhe Austria si vend organizator, si edhe Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilat kualifikohen direkt për shkak të kontributit financiar në festival. Këtë vit, koncepti i “Big Five” u kthye praktikisht në “Big Four”, pas tërheqjes së Spanjës nga Eurovision 2026.









