![](https://i0.wp.com/alb365.com/wp-content/uploads/2025/01/Screenshot-2025-01-25-074647.png?resize=537%2C328&ssl=1)
Ka ndërruar jetë në spitalin e Athinës, Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos, në moshën 96 vjeçare.
Ng viti 1992, ai ishte kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. I lindur grek, më 22 dhjetor 2017, presidenti Ilir Meta i dha shtetësinë shqiptare.
Anastas Janullatos lindi në 4 nëntor të vitit 1929 në Pire, Greqi. Ai u rrit me besim dhe gjatë viteve të formimit merrte pjesë në mënyrë aktive në Kishë. Në fillim atij i pëlqente matematika dhe gjatë viteve të adoleshencës ai dëshironte të vazhdonte studimet në këtë shkencë. Idetë e tij ndryshuan me fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Gjatë viteve të luftës, Janullatosi filloi të përjetonte besimin e tij në një mënyrë më personale. Ai ishte dëshmitar i shumë vuajtjeve dhe shkatërrimeve të luftës. Brenda kaosit mundi të gjente kuptim vetëm duke gërmuar thellë në besimin e tij. Që bota dhe vendi i tij të shpëtonte nga të këqijat e luftës si dhe nga pasojat e luftës civile në Greqi, Janullatosi kuptoi nevojën urgjente për një mesazh paqeje të brendshme, paqeje që vjen nëpërmjet Jezu Krishtit.
Kjo përvojë e drejtoi Janullatosin që të braktiste dëshirat e tij për fushat e tjera të studimit dhe të ndiqte teologjinë. Kaq drithëruese ishte kjo dëshirë sa që ai thonte: Për mua nuk mjaftonte t’i jepja diçka Perëndisë, duhej t’i jepesha plotësisht Atij. Doja që e gjithë qenia ime të jetonte në Krishtin. Më 1947 përfundoi shkëlqyeshëm shkollën e mesme dhe në vitin 1947, ai filloi Fakultetin Teologjik në Universitetin e Athinës, ku u diplomua shkëlqyeshëm në vitin 1951.
Më 1953 diplomohet shkëlqyeshëm në Universitetin Kombëtar të Athinës. Në vitet 1965 – 69 kreu studimet pasuniversitare në Historinë e Feve, Etnologji, Misiologji dhe Afrikanologji në Universitetet e Hamburgut dhe Marburgut. U mor me kërkime në Universitetin e Makereres, në Kampala – Uganda, me bursë të Fondacionit gjerman “Alexander von Humboldt”. Është Doktor Nderi i Fakultetit Theologjik të Universitetit Kombëtar Kapodistrian të Athinës (1970, Summa cum laude). Ka studiuar fe të ndryshme (Induizëm, Budizëm, Taoizëm, Konfucianizëm, Fe afrikane, Islam) në vendet ku ato lulëzojnë ( p.sh. Indi, Tajlandë, Sri Lanka, Kore, Japoni, Kinë, Kenia, Uganda, Tanzani, Nigeri, Brazil, Karaibe, Liban, Siri, Egjipt, Turqi).
Në vazhdim Janullatosi u bashkua me vëllazërinë “ZOI” (JETA), një organizatë fetare e përqendruar në rilindjen shpirtërore të Kishës në Greqi. Përgjegjësitë që kishte ai përfshinin misionin për të rinjtë e vendit të tij. Ai u bë udhëheqës i lëvizjeve studentore, kampeve të adoleshentëve dhe luftoi ta bënte besimin ortodoks të vërtetë dhe të prekshëm për të rinjtë që kishte pranë. Nëpërmjet këtyre përvojave, Janullatosi zbuloi ndikimin që patën këto programe mbi Kishën në një shkallë të gjerë. Ai kuptoi se pa një shërbim të tillë misionar, Kisha Ortodokse Lindore humbiste qëllimin dhe së fundi zvogëlohej.
Gjatë këtyre viteve, Janullatosi mori pjesë gjithashtu në një lëvizje ndërkombëtare rinore ortodokse të quajtur “Syndesmos”. Ai shërbeu si Sekretar i Përgjithshëm gjatë viteve 1958 – 1961 dhe pastaj si Zëvendëspresident nga viti 1964 – 1978. Gjatë kësaj kohe u takua me udhëheqës të tjerë të rinj që kishin të njëjtin zell për të shpallur Ungjillin. Së bashku ata filluan të kuptojnë se Krishti asnjëherë nuk mund të kënaqej nga shpallja e Ungjillit vetëm brenda Kishës. Urdhërimi i Tij fillestar ishte që të shkonin në të gjithë kombet. Prandaj, misionet nuk janë vetëm të brendshme, por edhe të jashtme. Urdhërimi i Madh i së kaluarës është një përgjegjësi e madhe për të tashmen. Në atë kohë Anastas Janullatos shkruante:
“Kisha pa mision është një kundërshtim termash… Nëse Kisha është moskokëçarëse ndaj punës apostolike që i është besuar, ajo mohon veten, kundërshton veten dhe thelbin e saj dhe tradhëton betejën që bën. Kisha që qëndron në vend, kisha së cilës i mungon vizioni dhe përpjekja e vazhdueshme për të shpallur Ungjillin të pa pagëzuarve, vështirë se mund të njihet si një Kishë e Shenjtë, e Përgjithshme dhe Apostolike, së cilës Zoti i besoi vazhdimësinë e veprës së Tij”.
Përveç greqishtes së re dhe të vjetër zotëron gjuhët e huaja anglisht, frëngjisht, gjermanisht. Njeh gjithashtu për përdorim latinishten, italishten, spanjishten, shqipen, rusishten, suahilin.