AKTUALITETTOP-NEWS

Nesër avazi/ Arben Ahmetaj flet për aferat e tjera korruptive të dyshes Rama-Balluku

Intervista e katërt e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj transmetohet nesër në Syri TV, një dalje publike që pritet të sjellë fakte dhe denoncime të reja për disa nga aferat më të mëdha të dyshuara korruptive të viteve të fundit.

Sipas paralajmërimeve, Ahmetaj do të ndalet veçanërisht te projekti i Portit të Ri, Porto Romano, afera e Eco Parkut në Durrës, si edhe projekti i fabrikës së armëve Kayno, çështje që kanë qenë në qendër të debatit publik, por për të cilat deri më tani, sipas tij, nuk ka pasur transparencë.

Kjo është intervista e katërt radhazi e Ahmetajt, pas tre daljeve të mëparshme ku ai ka artikuluar akuza të rënda për skemën korruptive të tunelit të Llogarasë, për lidhjet e krimit me Edi Ramën nëpërmjet Ergys Agasit që, sipas tij, janë ndërtuar për të favorizuar interesa kriminale në ekonomi. Në intervistat e mëparshme, Ahmetaj ka folur për presionet politike, për përjashtimin e tij nga vendimmarrja reale dhe për një përndjekje penale të dirigjuar nga Rama.

Në daljet e mëparshme në Syri TV, ish numri dy i qeverisë ka lënë të kuptohet se dokumentat që ka pasur në dispozicion janë dorëzuar në ambasada dhe për gjithçka ka qenë në dijeni ka kontaktuar me përfaqësitë ndërkombëtare.

Intervista e nesërme pritet ta zgjerojë gamën e akuzave duke e çuar një hap më tej, me detaje konkrete, emra, vendime, të cilat Ahmetaj ka lënë të kuptohet se mund të jenë të verifikueshme dhe me interes edhe për organet e drejtësisë. Burime pranë emisionit bëjnë me dije se do të ketë referenca të drejtpërdrejta për mënyrën se si janë konceptuar dhe zbatuar projektet në Porto Romano dhe Durrës, si edhe për rolin e institucioneve dhe individëve të përfshirë.

Gjasat janë që pas intervistës së radhës së Ahmetajt, SPAK të sigurojë një dëshmi të vlefshme për aferat e korrupsionit që lidhen me Edi Ramën dhe Belinda Ballukun, dyshja që përbën edhe qendrën e pushtetit ekzekutiv të mazhorancës në pushtet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button