AKTUALITETEKONOMI

Ngricat dëmtojnë mundin e një viti: 30 tonë domate shkojnë dëm në Zharrëzë

Një katastrofë bujqësore ka goditur zonën e Zharrëzës në Patos, ku ngricat e ditëve të para të vitit 2026 kanë shkatërruar plotësisht rreth 30 tonë domate, duke lënë fermerin Fatjon Asllani përballë një humbjeje të rëndë ekonomike.

Me mbi 16 vite eksperiencë në kultivimin e perimeve në sera, Asllani tregon se nuk ka përjetuar kurrë më parë një situatë të tillë. Temperaturat nën zero kanë ngrirë të gjithë prodhimin brenda pak orësh, duke mos lënë asnjë mundësi shpëtimi.

I detyruar të shkulë dhe të hedhë të gjitha bimët, fermeri ka parë të shkojë dëm puna dhe investimi i një viti të tërë. Sipas përllogaritjeve, dëmi financiar kap vlerën mbi 2 milionë lekë të reja, një goditje e rëndë për ekonominë familjare.

Sot, serat janë bosh dhe shpresa e vetme mbetet dëmshpërblimi nga shteti. Pa ndihmë institucionale, fermeri paralajmëron falimentim të plotë.

Ngricat e fillimvitit kanë prekur dhjetëra fermerë në Zharrëzë, por rasti i Fatjon Asllanit konsiderohet më dramatiku, pasi domatja ishte në kulmin e prodhimit dhe në periudhën me çmimin më të favorshëm në treg, duke e shumëfishuar humbjen ekonomike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button