AKTUALITETEKONOMITOP-NEWS

Prodhimi i ullirit në Mallakastër në rënie të ndjeshme/ Fermerët: mungojnë punëtorët… Prodhuesit: Tregtarët abuzojnë në çmim dhe cilësi.

Mallakastër – Edhe pse në territorin e Mallakastrës janë të mbjella mbi dy milionë rrënjë ullinj, këtë vit prodhimi i ullirit kokërr është shumë i dobët, ndër më të ulëtit në vitet e fundit. Fermerët e zonës pohojnë se ngricat e muajit mars kanë dëmtuar rëndë frutat, por sipas tyre problemet shkojnë përtej kushteve atmosferike.

Ata shprehen se ullishtat janë lënë pas dore, pasi mungojnë krahët e punës. Shumë të rinj janë larguar në emigracion, edhe pse një ditë pune ka shkuar deri në 40 apo 50 mijë lekë të vjetra. Fermerët shtojnë se qeveria nuk ka dhënë subvencione, duke i lënë të vetëm përballë kostove të larta dhe tregut të paorganizuar.

Prodhuesit e vajit të ullirit në disa fshatra të Mallakastrës si Gjerbës, Greshicë, Ballsh dhe Kreshpan pohojnë se prodhimi dhe cilësia kanë rënë ndjeshëm. Dikur për eksport kërkoheshin standarde e dokumentacion, ndërsa dy vitet e fundit vaji po eksportohet pa u kontrolluar cilësia, gjë që, sipas tyre, dëmton reputacionin e produktit mallakastriot.

Fermerë

Një tjetër problem që hasin fermerët është mungesa e infrastrukturës. Rrugët që të çojnë në ullishte janë të dëmtuara dhe transporti shpesh bëhet me kafshë deri në rrugët kryesore, ndërsa fabrikat marrin më pas përsipër transportin e kokrrave të ullirit.

Ndërkohë, prodhuesit Viktor Paja në Ballsh dhe Julian Hoxhaj në Kreshpan të Cakranit pohojnë se tregtarët abuzojnë me cilësinë e vajit, duke përzier vajra të ndryshëm dhe duke i shitur si prodhim vendas. Ata u bëjnë apel qytetarëve që të blejnë vajin direkt në fabrika, ku mund të gjejnë cilësi të garantuar dhe çmime më të arsyeshme.

Prodhues

Ndërtimi i autostradës Levan–Tepelenë, që ka anashkaluar disa fshatra të Mallakastrës ku kultivohet ulliri, ka ndikuar gjithashtu në rënien e lëvizjes tregtare. Si pasojë, çmimi i vajit të ullirit ka mbetur i pandryshuar prej tre vitesh, në rreth 6 mijë lekë të vjetra për litër, pavarësisht kërkesës së lartë në treg.

Fermerët thonë se nëse situata vijon kështu, një pjesë e ullishtave rrezikojnë të mbeten të papunuara, ndërsa tradita shumëvjeçare e prodhimit të vajit të ullirit në Mallakastër mund të humbasë gradualisht duke degraduar cilësinë e tij.

ALB365/ Xhemil Beharaj/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button