Monday, March 4, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeEKONOMINis rritja e tarifave të ujit, e para Vlora, familjarët do paguajnë...

Nis rritja e tarifave të ujit, e para Vlora, familjarët do paguajnë 33% më shtrenjtë

Teksa reforma e agregimit, apo bashkimit të ujësjellësve duke krijuar ndërmarrje më të mëdha për të përmirësuar shërbimin dhe gjendjen e tyre financiare vijon, duket se efekti i parë i saj do të jetë rritja e tarifave të ujit.

Kjo mund të mos vlejë për të gjithë kompanitë por të paktën për aplikimin e parë, bërë nga ujësjellësi i Vlorës, dhe miratimin e dhënë nga Enti Rregullator i Ujit (ERRU), tarifat e reja janë në rritje.

Në një vendim të bërë tashmë publik në Fletoren Zyrtare çmimi i ujit për familjarët që do të shërbehen nga ujësjellës-kanalizime Vlorë nga muaji shkurt do të jetë 33.3 për qind më i lartë sesa aktualisht. ERRU ka miratuar një tarifë 60 lekë/m3 ujë për këtë kategori nga 45 lekë/m3 që është aktualisht. Për biznesin dhe klientët publikë që janë kryesisht institucionet tarifat e reja do të jenë 20 për qind më të larta. Me tarifat e vjetra ato paguajnë 100 lek/m3 ndërkohë që me ato të miratuara së fundmi 120 lekë/m3. Këto tarifa janë gjithsesi më të ulëta sesa ajo që kishte kërkuar ndërmarrja e Vlorës në aplikimin e saj.

Ndërkohë shërbimi i largimit të ujërave të ndotura ka pësuar gjithashtu rritje. Tarifa e miratuar për familjarët për këtë rast është 17 lekë, me një rritje 13 për qind në raport me tarifën e mëparshme. Për biznesin dhe konsumatorët publikë tarifa e re është 28 lekë me një rritje 12 për qind nga ajo aktuale.

Rritje kanë pësuar edhe tarifat fikse mujore për shërbimin duke u dyfishuar për konsumatorët familjarë nga 100 në 200 lekë në muaj kurse për bizneset është rritur me më shumë se 2.5 herë.

Bashkë me tarifat Enti ka miratuar edhe objektivat kryesorë që i janë vendosur ndërmarrjes sa i takon mbulimit me shërbim të furnizimit me ujë, mbulimit me shërbim të kanalizimeve, uji pa të ardhura, norma e arkëtimit apo mbulimi i kostove.

Ndërmarrja e ujësjellësit të Vlorës bashkon tre ujësjellës që është ai i Vlorës, Selenicës dhe Himarës por që ende sipas statusit të publikuar në faqen e ERRU nuk është bërë riorganizimi i plotë i shoqërisë. Përditësimi i fundit i kësaj faqe është në korrik 2023.

Vetëm ujësjellësi Vlorë i shërben përafërsisht 166 045 banorëve të Bashkisë Vlorë.

Aktualisht ERRU ka në shqyrtim edhe disa aplikime të tjera për ujësjellësit Durrës, Lezhë dhe Fier./ Monitor

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME