TECH

Një test i thjeshtë me lotët mund të zbulojë më herët sëmundjen e Parkinsonit

Shkencëtarët kanë zhvilluar një sensor të vogël që mund të zbulojë nivelet e dopaminës, një lëndë kimike e trurit që ndihmon në kontrollin e lëvizjeve dhe humorit, nga një mostër e vogël lotësh.
 
Testet laboratorike treguan se pajisja mund të dallojë nivelet e ulëta të dopaminës që lidhen me sëmundjen e Parkinsonit. Aktualisht, matja e kësaj substance bëhet përmes analizave të gjakut, urinës ose pajisjeve të vendosura në tru, metoda që janë më të ngadalta, më të kushtueshme ose më invazive.
 
Një test me lot mund t’u japë mjekëve mundësinë të zbulojnë ndryshimet e para kimike të Parkinsonit shumë kohë përpara shfaqjes së dridhjeve dhe ngurtësimit të muskujve.
 
Dopamina transmeton sinjale mes qelizave nervore dhe ndihmon në ruajtjen e lëvizjeve të kontrolluara. Kur qelizat e trurit që prodhojnë dopaminë fillojnë të vdesin, nivelet e saj bien dhe shfaqen simptomat kryesore të Parkinsonit. Ajo gjithashtu ndikon në humor, motivim dhe mënyrën se si mësojmë.
 
Sensori u krijua nga një ekip studiuesish të udhëhequr nga Neftalí Lênin Villarreal Carreño në Universitetin Federal të Pelotas në Brazil. Ata përdorën një rreze lazer mbi një fletë të hollë plastike për të krijuar grafen, një material që përçon elektricitetin. Më pas e veshën atë me nikel dhe përbërje të pasura me azot, duke rritur aftësinë për të kapur molekulat e dopaminës.
 
Testet me lot artificialë treguan se sensori jepte sinjale të sakta: sa më shumë dopaminë të kishte, aq më i madh ishte rryma elektrike e matur. Pajisja zbuloi edhe sasi shumë të vogla të substancës, në nivele që përputhen me ato të raportuara te personat me Parkinson.
 
Sensori mbeti i saktë edhe kur u përball me përbërës të tjerë që gjenden normalisht në lot, duke treguar se mund të funksionojë në kushte reale.

Studiuesit synojnë që në të ardhmen të krijojnë një pajisje të vogël dore që mund të përdoret në klinika për një analizë të shpejtë nga një pikë loti. Megjithatë, pajisja është testuar deri tani vetëm në lot artificialë dhe nevojiten prova me mostra reale njerëzore.
 
Nëse rezultatet konfirmohen, ky sensor i lirë dhe pa dhimbje mund të ndihmojë në zbulimin e hershëm të Parkinsonit dhe në monitorimin më të lehtë të ndryshimeve në trurin e pacientëve. / Earth

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button