Thursday, February 29, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETPagoi mijëra euro për ta vrarë, më pas Naim Murseli shkoi në...

Pagoi mijëra euro për ta vrarë, më pas Naim Murseli shkoi në varrimin e gruas!

Vrasja e Liridonë Murselit ka marrë sot një tjetër kthesë, të denjë për një skenar filmi!

30-vjeçarja mbeti e vrarë mbrëmjen e së mërkurës në Prishtinë. Ajo udhëtonte me makinë me bashkëshortin e saj Naim Murseli dhe dy fëmijët e tyre të vegjël. Një person u doli para dhe u kërkoi që t’i jepnin sendet me vlerë. Por në rrethana të paqarta, teksa Naim Murseli mori dy fëmijët, bashkëshortja e tij 30-vjeçare u qëllua për vdekje. Një ngjarje, rrethanat e së cilës që në fillim ishin të paqarta, por që me kalimin e orëve nisën të merrnin një tjetër kthesë.

Shumë shpejt nëpër rrjetet sociale, por edhe mediat në Kosovë, ekspertë të fushës hodhën dyshimet se vrasja mund të ishte e inskenuar. Dyshimet kryesore ranë mbi bashkëshortin e viktimës. E pa u bërë ende 48 orë nga ngjarja e rëndë, policia në Kosovë vuri në pranga dy persona, një prej të cilëve pikërisht bashkëshortin e saj Naim Murseli. Ndërsa i arrestuari tjetër është Granit Plava, “grabitësi” që qëlloi mbi të renë.

“Autori thotë se u pagua nga Naim Murseli për ta privuar nga jeta Liridonën”, shkruajnë mediat në Kosovë, duke shtuar se 33-vjeçari Naim Murseli dyshohet se e pagoi 30 mijë euro bashkëfshatarin e tij për të kryer vrasjen.

“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprime intensive hetimore, të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin. Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë“, tha në një reagim zyrtar policia e Kosovës. Nga kjo e fundit nuk ka shumë detaje ende, ndaj mbetet për t’u parë se cilat janë provat që i çuan hetuesit tek dy autorët e dyshuar.

Besohet se policia ka mundur të sigurojë pamjet kur dyshja takohen para krimit. Edhe komunikimi i fundit në telefon i Murselit rezulton të jetë pikërisht me personin e pajtuar prej tij.

Për arrestimin e dy personave në fjalë reagoi edhe prokuroria e Prishtinës.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me rastin e dt. 29.11.2023, i cili është vlerësuar fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast. Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat Granit Plava (dorasi) dhe Naim Murseli (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, thuhet në njoftim.

Ngjarja me të drejtë të kujton rastin “Babis”, pilotit grek i cili vrau bashkëshorten e tij 20-vjeçare dhe e inskenoi si grabitje që kishte shkuar keq. Por teksa në rastin e Babis Anagnostopoulos hetuesve iu desh një muaj për të zbuluar të vërtetën, në rastin e Murselit “shfaqja” zgjati shumë pak.

Megjithatë, gjatë kësaj kohe Naim Murselit iu desh që ta luante rolin dhe këtë të premte të shfaqej para kamerave, teksa përcillte për në banesën e fundit nënën e dy fëmijëve të tij.

Diku me zemrën në dorë, e në tjetër moment me dorën mbi arkivolin e Liridonës, Naim Murseli shfaqej i pikëlluar në varrimin e 30-vjeçares.

Ndërsa babai i tij, Shaban Murseli, në një prononcim për gazetarët që ishin të pranishëm në varrimin e 30-vjeçares, mes të tjerash tregonte versionin që siç duket i kishte dhënë i biri, ndërsa hidhte poshtë çdo aludim se mund të ishte pikërisht Naimi, porositësi i vrasjes.

“Jetojmë prej 32 vitesh në Suedi dhe nuk kemi informata të sakta, ka manipulime, thashetheme, por versioni më i saktë është që (Liridona) ka rezistuar me dorëzuar çantë e krahut. Aty ka pasur një shumë të konsiderueshme të hollash, sepse ata patën blerë shtëpi në Prishtinë dhe po e rregullonin për të hyrë në shtëpi të re. Si ka ndodhur nuk e di. Shuma ka qenë mbi 3 mijë euro dhe ia kanë plaçkitur të gjitha, telefona, ça ka pasur. Versioni i tij (Naimit) është e ka nxjerr fëmijën prej makinës dhe i ka thënë në gjuhën suedeze, i paska thënë ik. Por mesa duket është ngatërruar pak edhe me rripin e sigurimit. (Naimin) Tani e takova në varrim se sot kemi ardhur në mëngjes ende nuk kam biseduar me të. Është e tmerrshme të manipulohet me kështu gjërash. Unë e di sa e ka dashur Naimi Liridonën”.

Sipas versionit fillestar që dha bashkëshorti i gruas në polici, vrasja ndodhi në sy të fëmijëve të mitur të çiftit. Një detaj edhe më rrëqethës, përballë faktit se ishte pikërisht babai i tyre që dyshohet se porositi vrasjen e saj.

Momentalisht nuk është e qartë se cili është shkaku i këtij krimi që tronditi mbarë opinionin publik.

Çifti mësohet se kishin 12 vite të martuar. Vetë Liridona në profilin e saj në Instagram, shkruante: “Familja është gjithçka”.

Naim Murseli kishte punuar si këshilltar i Behgjet Pacollit. Ky i fundit në një reagim në rrjetet sociale, mes të tjerash shkruante “kushdo qoftë mbrapa këtij akti të tmerrshëm dhe makabër (akt i pa parë ne traditën tonë), duhet të dalë para drejtësisë dhe të merr dënimin maksimal për këtë. Sot, dy fëmijë janë pa nënën e tyre, të cilës jeta u mor në rininë e saj. E pabesueshme dhe e trishtueshme. Jam ende i shokuar!”

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME