POLITIKË

Paraburgimi i Metës: domosdoshmëri juridike, masë e tepruar apo hakmarrje politike?!

Çështja e mbajtjes në paraburgim të ish-Presidentit Ilir Meta, në një kohë kur dosja ka kaluar tashmë për gjykim, ka hapur një debat të fortë publik: a ekzistojnë ende kushtet konkrete që e justifikojnë këtë masë, apo kemi të bëjmë me një vendim të ndikuar politikisht?

Ilir Meta ishte në Kosovë dhe u kthye në Shqipëri ditën e arrestimit, ai mund të arratisej siç ka vepruar ish-kryeministri maqedonas, por zgjodhi të përballet në Shqipëri me akuzat. Pra një element se ai mund të arratiset, rrëzohet.

Në sistemin penal shqiptar, kalimi i çështjes në gjykim nuk e shfuqizon automatikisht masën e sigurisë. Ligji parashikon që paraburgimi mund të vazhdojë nëse ekziston rreziku i arratisjes, i ndikimit mbi dëshmitarët apo provat, ose i përsëritjes së veprës penale.

Por thelbi nuk është thjesht ekzistenca teorike e këtyre rreziqeve; thelbi është nëse ato janë konkrete, aktuale dhe të provuara.

Në fazën e gjykimit, disa nga këto rreziqe objektivisht zbehen. Provat zakonisht janë administruar, aktet hetimore janë mbyllur dhe çështja zhvillohet në një ambient publik e të monitoruar. Nëse rreziku i manipulimit të provave apo ndikimit mbi dëshmitarët nuk argumentohet me elemente të reja, vazhdimi i paraburgimit kërkon arsyetim shumë më të fortë ose duhet pranuar se dikush mbi gjykatën speciale e do atë në burg.

Sikurse thuhet se Shqipërisë i duhen dy apo tre ish-personalitete të larta shtetrore në burg që t’i thuhet Brukselit se “ne po arrestojmë edhe figura të larta”! Pra nëse koka e Ilir Metës, pas gjithë kalvarit në mënyrën e arrestimit të dhunshëm, dhe qëndrimit në qeli, duke e izoluar edhe nga të burgosurit e tjerë apo aktivitete që lejohen në paraburgim; pra nëse e ndihmon Tiranën zyrtare për negociatat, atëhere më mirë i thuhet Ilir Metës se “me emrin tënd në qeli, ne si shtet po na happen dyert e BE”, dhe pas kësaj jemi të sigurtë se Ilir Meta do të thoshte “Po, po rrijë këtu brenda nëse iu hynë në punë vendit tim për t’u pranuar në BE”.

Bile këtë duhej ta bënte edhe Sali Berisha e Edi Rama! Për Shqipërinë në BE ia vlen të sakrifikojnë!

Por fakti që Ilir Meta disa herë me avokatin e tij ka kërkuar zëvendësimin e masës së paraburgimit me kushtin që të jetë i lirë apo edhe me arrest shtëpiak, dhe prapë gjykatat në seri, ato speciale, por edhe gjykata e lartë e kanë lenë në qeli, tregon se dikush e do patjetër në burg.

Objektivisht, kur çështja ka kaluar për gjykim provat kryesore zakonisht janë administruar. Rreziku i manipulimit të provave zvogëlohet ndjeshëm, bile avokati i tij dhe analistë të shumtë shprehen se “nuk ka çfarë prove të prishë”.

Nëse personi është figurë publike me adresë të qëndrueshme dhe ekspozim publik, rreziku i arratisjes duhet të argumentohet shumë konkretisht. Këtu lind pyetja juridike reale: A ka gjykata arsyetuar konkretisht pse rreziku vazhdon që Ilir Meta duhet të qëndrojë në qeli?

Rreziku i arratisjes duhet të provohet me fakte konkrete. Kur bëhet fjalë për një figurë politike me ekspozim maksimal publik, adresë të njohur dhe aktivitet të vazhdueshëm në vend, ky argument nuk mund të mbështetet në formula standarde. Parimi i proporcionalitetit kërkon që paraburgimi të jetë masa e fundit, jo refleks automatizmi.

Jurisprudenca e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut ka theksuar vazhdimisht se paraburgimi i zgjatur duhet të justifikohet me arsye reale dhe relevante, jo me arsyetime të përgjithshme. Edhe Këshilli I Europës është alarmuar nga përqindja e madhe e paraburgimit në Shqipëri.

Po zbatohet parimi “kap e fut brenda në qeli”!

Pyetja thelbësore mbetet kjo: A ka gjykata paraqitur arsye të reja, konkrete dhe proporcionale për vazhdimin e paraburgimit? Nëse përgjigjja është po, masa është e ligjshme, pavarësisht debatit politik. Nëse jo, atëherë ajo bëhet juridikisht e diskutueshme dhe e cenueshme në nivele më të larta gjyqësore. Më saktë duhet liruar nga qelia dhe Ilir Meta të përballet në gjykatë me Prokurorinë Speciale. Bile në këtë rast do të ishte mirë që gjyqi të ishte publik.

Paraburgimi nuk duhet të jetë as instrument presioni, as dënim i parakohshëm. Ai duhet të mbetet përjashtim, i arsyetuar dhe i kufizuar në kohë. Vetëm kështu ruhet besimi tek drejtësia dhe shmanget perceptimi i selektivitetit politik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button