Parashikimi i errët i Bill Gates: Vetëm këto tri profesione do t’i mbijetojnë epokës së AI

Në një kohë kur inteligjenca artificiale (AI) po merr gjithnjë e më shumë role që dikur i takonin njerëzve, miliarderi Bill Gates ka ndarë parashikimin për të ardhmen e punës. Edhe pse teknologjia po përparon me një shpejtësi të madhe, Gates është i bindur se vetëm tre profesione të veçanta do të mbijetojnë revolucionin që ka sjellë inteligjenca artificiale.
Gates ka paralajmëruar se shumë profesione do të bëhen të vjetra për shkak të integrimit gjithnjë e më të thellë të inteligjencës artificiale në shoqëri. Ndërsa AI po përdoret tashmë në industri të ndryshme, Gejts beson se nuk do të zhduken të gjitha profesionet dhe se ekzistojnë fusha të caktuara që do të kërkojnë ende mbikëqyrje dhe kreativitet njerëzor.
Programuesit
Pavarësisht se AI mund të gjenerojë kodin bazë, teknologjia aktuale ende nuk është perfekte. Programuesit do të mbeten thelbësorë për monitorimin dhe rregullimin e gabimeve, si dhe për zhvillimin e sistemeve më të sofistikuara të inteligjencës artificiale. Në thelb, AI do të ketë nevojë për njerëz që të krijojnë dhe mbikëqyrin sisteme të tjera më të avancuara të AI.
Ekspertët e energjisë
Gates thekson se sektori i energjisë, që përfshin naftën, energjinë bërthamore dhe burimet e rinovueshme të energjisë, kërkon shumë ekspertizë dhe mendim strategjik për t’u automatizuar plotësisht. Ekspertët në këtë fushë, përfshirë inxhinierët, kërkuesit dhe teknikët, do të jenë të nevojshëm për të menaxhuar infrastrukturën, për të kuptuar sfidat industriale dhe për të zhvilluar inovacione për të ardhmen, thekson Unilad
Biologët
Në industrinë mjekësore, inteligjenca artificiale tashmë luan një rol të rëndësishëm, por miliarderi beson se teknologjia ende i mungon mjaft kreativiteti për të bërë zbulime shkencore. Biologët do të përdorin inteligjencën artificiale si një mjet për të analizuar të dhënat dhe për të diagnostikuar sëmundje, por kreativiteti dhe inovacionet që vijnë nga njerëzit do të jenë thelbësore për zbulimet e reja në biologji dhe mjekësi.
Gejts pranon se mund të gabojë, por thekson se mënyra se si përdoret inteligjenca artificiale do të formësojë jetën e përditshme në një mënyrë që do të kujtojë ndryshimet që solli revolucioni industrial dhe zhvillimi i internetit.