POLITIKËTOP-NEWS

Pas Ramës në Pogradec,  Balluku mbledh 12 deputetët e Fierit në Hekal, ja çfarë do të diskutohet

Fier – Pas takimit të kryeministrit Edi Rama me strukturat drejtuese të Partisë Socialiste në Pogradec, fokusi politik i mazhorancës zhvendoset në qarkun Fier.

Drejtuesja politike e PS-së për këtë qark, Belinda Balluku, pritet të mbledhë nesër në Hekal të Mallakastrës 12 deputetët socialistë të qarkut, në një takim pune të konceptuar si një “retreat” politik dhe organizativ.

Takimi pritet të shërbejë si një pikënisje për përkthimin në terren të porosive dhe udhëzimeve të dhëna nga kryeministri Rama në Pogradec, duke vendosur në qendër të diskutimeve raportin e deputetëve me qytetarët dhe mënyrën e adresimit të problematikave të tyre.
Nga mbledhja politike te puna në terren

Një prej prioriteteve të këtij takimi pritet të jetë forcimi i pranisë së deputetëve socialistë në territor. Përfaqësuesit politikë të mazhorancës pritet të fokusohen më shumë te kontakti i drejtpërdrejtë me qytetarët, evidentimi i shqetësimeve të tyre dhe ndjekja e problematikave pranë institucioneve përgjegjëse.

Në tryezën e diskutimeve pritet të jenë edhe dokumentet “Besa” dhe “Prania Besnike”, ndërsa vëmendje të veçantë pritet të marrë edhe mekanizmi i quajtur “Pasqyra Unike”.

Ky mekanizëm synon të krijojë një mënyrë më të unifikuar të orientimit të qytetarëve drejt institucioneve dhe shërbimeve publike, duke përcaktuar më qartë rrugën që duhet ndjekur për trajtimin e kërkesave dhe problematikave të tyre.

12 deputetët, përballë një formule të re angazhimi

Retreat-i i Hekalit pritet të mos jetë thjesht një mbledhje politike, por një takim pune ku do të përcaktohen më konkretisht detyrat, mënyra e komunikimit me qytetarët dhe angazhimi i deputetëve në territor.
Mesazhi politik që pritet të përcillet është i qartë: më shumë prani në terren, më shumë kontakt me qytetarët dhe një rol më aktiv i deputetëve në ndjekjen e problematikave që vijnë nga komunitetet.

Takimi në Mallakastër zhvillohet në një moment kur Partia Socialiste po kërkon të rrisë ritmin e organizimit në territor dhe të forcojë lidhjen mes strukturave politike, deputetëve dhe qytetarëve.

Pas Pogradecit, radha i ka ardhur Fierit. Hekali pritet të jetë skena ku porositë e Edi Ramës do të përkthehen në detyra konkrete për 12 deputetët socialistë të qarkut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button