Sarandë – Nuk kish si të ndodhte ndryshe kjo që i ndodhi një turisti polak 74 vjeçar në Ksamil të Sarandës 24 orë më parë. Me fjalët “Do iki për një kafe në Korfuz”, polaku aventurier vuri në alarm policinë duke përshkuar 7.5 milje me not
Detaje të reja dalin nga ngjarja e një dite më parë kur një polak i moshuar vuri në alarm të dy policitë në Sarandë, të Rendit dhe atë Kufitare, pasi ishte denoncuar i zhdukur në det.
Sipas shoqërueses së grupit të turistëve polakë, 29-vjeçares me inicialet D.R, i moshuari Zbibniw Kaczorowski, 74-vjeç, kishte veshur një palë këmbëza noti dhe rreth orës 10.30 të paradites së të hënës u hodh në det në Ksamil duke u shprehur: “Do shkoj për një kafe në Korfuz”. Veprimi ndodhi rreth orës 10.30 të paradites të së hënës dhe denoncimi në polici u bë në orën 20.00 kur u konstatua se i moshuari nuk po kthehej.
Menjëherë dy Komisariatet e Sarandes u vunë në alarm dhe nisën kërkimet nga deti dhe toka. Pas disa orësh kërkimi polaku 74-vjeçar Zbibniw Kaczorowski, u gjet i vetmuar në plazhin përballë ishullit Tongo, ose siç e quajnë ndryshe vendasit këtu “ Ishulli i Francezit”. U gjet i ulur në rërë dhe i raskapitur.
“Piloti i detit” kish ngatërruar rrugë, duke kryer plot rreth 7.5 milje detare me not e duke ngelur sërish në tokën shqiptare, pra pak milje më shumë se distanca detare Ksamil – Korfuz, e nuk arriti dot ta pinte atë kafe aventure në këtë moshë 74 vjeçare që përshkoi 7.5 milje me not. E falë ndihmës që iu dha nga forcat policore të Sarandës ai sot është në jetë./syri