
Portugalia ka siguruar një vend në finalen e Nations League pas fitores 2-1 ndaj Gjermanisë në Allianz Arena të Mynihut. Nën drejtimin e trajnerit Roberto Martinez, luzitanët përmbysën rezultatin falë një paraqitjeje të shkëlqyer në pjesën e dytë.
Gjermania kaloi e para në epërsi në fillimin e pjesës së dytë me golin e Florian Wirtz, por Portugalia reagoi shpejt: në minutën e 63-të, sapo kishte hyrë në fushë prej vetëm 5 minutash, Francisco Conceição realizoi një gol të bukur duke barazuar shifrat.
Vetëm pesë minuta më pas, Cristiano Ronaldo shënoi golin e fitores me një goditje nga afër, duke vazhduar të thyejë rekorde dhe të shtojë numrat në karrierën e tij të jashtëzakonshme.
Me këtë fitore, Portugalia bëhet finalistja e parë e turneut dhe tani pret të mësojë kundërshtarin mes Francës dhe Spanjës, që përballen nesër në mbrëmje.