
Për ditën e 93-të qindra qytetarë u mblodhën para godinës së kryeministrisë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisjes së tij.
Ata paralajmëruan dhe për përshkallëzim.
“ Kjo qeveri e korruptuar duhet të largohet sa më shpejt. Këtu ne do të fillojmë përshkallëzimin. Do të fillojmë mosbindjen civile sepse nuk mban më kjo situatë” tha një protestues.
Ndërkohë më 7 shtator është caktuar protesta kombëtare. Protestuesit bënë thirrje qytetarët nga e gjithë Shqipëria por dhe diaspora të bashkohen në shesh për të larguar kryeministrin Rama.
“Sot një javë, ditën e shtunë, 7 shtator bëjmë fiks 100 ditë të kësaj rezistence! Kësaj rezistence të paprecedentë! E ana tjetër, 7 shtatori është pikëtakimi. E unë dua të bëj një thirrje për të gjithë shqiptarët, për të gjithë qytetarët e Tiranës, që të bashkohemi në një protestë kombëtare për t’i treguar Edi Ramës e kësaj qeverie që më 7 shtator nuk do të ketë qetësi, e më 7 shtator nuk do të ketë vend ku të futet.
Dua t’i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, në çdo qytet, që në 7 shtator, ditën e 100-të të kësaj rezistence popullore e paqësore, të bashkohen në Tiranë për t’i thënë ‘jo’ arrogancës qeveritare, për t’i thënë ‘jo, ne nuk e pranojmë këtë qeveri të krimit’ dhe për t’i thënë ‘poshtë Edi Rama’, sepse ne nuk pranojmë qeverisjen e një arroganti. Dua t’i bëj thirrje diasporës, kush ka mundësi të vijë në mënyrë masive më 7 shtator, ditën e 100-të të kësaj proteste, për t’i dhënë krah kësaj rezistence e për të rrëzuar këtë qeveri të korruptuar e arrogante!“ tha një protestues.
Por protestat nuk do të ndalen. Më 12 shtator datë kur dhe nis sesioni i ri parlamentar është bërë thirrje për një tjetër protestë.








“Mos harroni, pas 7 shtatorit, pas ditës së 100-të të kësaj rezistence që përkon me ditën e shtunë në kalendar, vjen edhe dita e enjte, 12 shtatori, që pritet të jetë seanca plenare. E në mënyrë masive, nga çdo qytet, nga çdo lagje e Tiranës, duhet të bashkohemi para parlamentit, për t’i thënë atyre deputetëve e kësaj klase të inkriminuar politike, se nuk na përfaqësoni!
Më 10 shtator vjen e shtuna, 12 shtator ku rrjetet sociale e diaspora ka paralajmëruar një ardhje masive këtë punë e parë. Ky shtator pritet e duhet të jetë i fundit për këtë qeveri, e cila në mënyrën se si qeveris ka kaluar çdo limit. Prandaj ne, edhe këtu, në ditën e 93-të, edhe në të 100-ën, 7 shtator, ditën e 100-të të kësaj rezistence, edhe të enjten, 12 shtator… edhe të hënën, ditën e fundit që Edi Rama do t’i vazhdojë të jetë kryeministër, ne do vazhdojmë të rezistojmë dhe të thërrasim të gjithë në një zëri: Dorëheqje!”
Pas fjalimeve protestuesit marshojnë nëpër rrugët e kryeqytetit duke u bërë thirrje qytetarëve tu bashkohen në revoltën e tyre kundër kësaj qeverie e cila u largoi familjarët jashtë, i varfëroi ndërsa pasuroi qeveritarët dhe oligarkët e vet.








