AKTUALITET

Prangoset Moisi Habilaj/ I dënuari nga drejtësia shqiptare dhe italiane u kap në Borsh nga forcat operacionale

Arrestohet Moisi Habilaj. Habilaj u  arrestua nga forcat operacionale në një beach bar në Borsh. Ai ishte maskuar me kapele.

Ishte shpallur fajtor nga GJKKO me 10 vite burg për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Moisi Habilaj është dënuar më herët edhe nga drejtësia italiane me 15 vite burg për trafik ndërkombëtar droge.

Çështja e “Habilajve” në tetor të vitit 2017, mori edhe vëmendje politke pas publikimit të dosjes italiane që evidentonte lidhje mes grupit kriminal dhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Edhe pse Tahiri u akuzua fillimisht për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, ai u dënua përfundimisht për shpërdorim detyre. Në të njëjtën çështje, fajtor u shpall edhe ish-drejtuesi i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

Njoftimi i policise: Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Metodat”, për kapjen e një personi të shumëkërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.

Kapet dhe arrestohet provizorisht, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar nga autoritetet italiane me mbi 12 vjet burgim për pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Në vijim të punës intensive hetimore dhe operacionale për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara dhe në përdorimin e metodave speciale të hetimit për zbulimin dhe lokalizimin e një personi shumë të kërkuar nga autoritetet italiane, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metodat”, u bë i mundur lokalizimi në një lokal në Borsh, kapja dhe arrestimi provizor i shtetasit Moisi Habilaj, 48 vjeç, banues në Babicë e Vogël, Vlorë.

Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Katanias, Itali, me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burgim për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Po ashtu, ndaj tij u ekzekutua edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar me vendimin nr. 192, datë 26.12.2018, të Gjykatës së Krimeve të Rënda, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi E.A., 46 vjeç, banues në Sarandë, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi italian S.F., 70 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button