AKTUALITET

Prokuroria Tiranë sekuestron pasuritë e noteres Sanja T.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Nënshkrimi”, në kuadër të hetimeve për pastrim parash dhe përfitime të paligjshme gjatë ushtrimit të detyrës si notere. Objekt i hetimit është një 35-vjeçare, banore në Tiranë, e dyshuar për krijimin e një pasurie të konsiderueshme me burime të dyshimta kriminale.

Si rezultat i operacionit, janë sekuestruar 18 pasuri, me vlerë rreth 3 milionë euro, që përfshijnë 13 pasuri të paluajtshme dhe 5 llogari bankare, në emër të të dyshuarës Sanja Telhallari.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë sekuestron pasuritë e paluajtshme në pronësi të shtetases S.T. me profesion notere si dhe të familjarëve të saj.

2f3614f9 271e 43fe 961c eabccd3bc42f

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se gjatë periudhës 2013–2024, shtetasja S.T. ka kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh për blerjen e pasurive të paluajtshme, përfshirë apartamente, dyqane, poste parkimi dhe një vilë në kompleksin “Rolling Hills”. Në total janë evidentuar 13 pasuri të paluajtshme, me vlera të larta monetare si dhe llogari të shumta bankare.

Kjo shtetase ka investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, kryesisht në makina luksoze dhe sende me vlerë të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike me të ardhurat nga aktiviteti i saj si notere.

Nga verifikimet, u konstatua një mospërputhje e dukshme midis të ardhurave të ligjshme të deklaruara dhe shpenzimeve të kryera për këto investime. Dyshohet se një pjesë e fondeve të përdorura për blerjen e pasurive kanë ardhur nga ish-bashkëshorti i saj, shtetasi K.P., i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe është dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, me një dënim maksimal deri në 21 vjet burgim.

Vendosja e masës së sekuestros preventive synon të garantojë ruajtjen e pasurive gjatë hetimit penal dhe të parandalojë transferimin apo përdorimin e tyre për fshehjen e origjinës së paligjshme.

Prokuroria vijon hetimet për dokumentimin e plotë të burimeve financiare dhe të pasurive të dyshuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button