Në sheshin “Skënderbej” në qendër të Tiranës është mbajtur një protestë simbolike në mbështetje të ish-luftëtarit të UÇK-së, Dritan Goxhaj. Një grup qytetarësh kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij dhe refuzimin e autoriteteve të Kosovës për ekstradim. Me thirrje drejtuar qeverisë, protestuesit thanë se politika duhet të ketë respekt për njerëzit të cilët luftuan për kombin dhe çlirimin e Kosovës, ndaj dhe duhet të kontribuojë në lirimin e Goxhajt.
“Ne kërkojmë nga qeveria respekt për ata që luftuan për atë komb dhe dhanë gjak, gjithçka për këtë ditë dhe çlirimin e Kosovës. Në vend që ti jepej bashkim kombëtar, po e lënë në burg, lufta ndaj atyre u hodh poshtë mes një kombi. Mos persekutoni njerëzit e UÇK-së, qeveria, politika të lirojnë menjëherë këta njerëz”, tha një protestues.
“Shkoni në serbi dhe kapni kriminelët serbë që kanë vrarë. Duam liri për Dritan Goxhaj”, – është shprehur një qytetar tjetër. Një prej protestuesve tha se Goxhaj nuk duhet të ekstradohet jashtë vendit pasi ai nuk ka bërë asnjë lloj krimi, përkundrazi ka mbrojtur të drejtat e shqiptarëve gjatë asaj kohe.
“Për të gjithë ata që kanë në dorë për Dritanin mos ta ekstradojnë, ky është një persekutim i hapur për të gjithë shqiptarët që luftuan kundër armiqve. Të ketë meritë për Dritan Goxhaj, duhet të mbrohen të drejtat e kombit shqiptar, ato që na i kanë dhunuar në emër të demokracisë. Drejtësia është e barabartë për të gjithë. Nuk ka bërë asnjë lloj krimi por vullnetarisht ka marrë pjesë në mbrojtje të të drejtave”, tha një prej protestuesve.
Dritan Goxhaj u arrestua më 31 korrik nga Policia e Tiranës, për llogari të Gjykatës Speciale të Kosovës, me zyra në Hagë. Mbi të rëndojnë dy akuza ajo e “Frikësimit gjatë procedurës penale” dhe “Pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrave”. Avokati i Goxhajt, Bashkim Nikolla e ka cilësuar si vendim me prapavijë politike arrestimin e klientit të tij, ndërsa shton se ai është i pafajshëm.