Sunday, December 8, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETPlazhi i Manastirit, 'pika e voçkël e Kumbaros' u shndërrua në masiv...

Plazhi i Manastirit, ‘pika e voçkël e Kumbaros’ u shndërrua në masiv betoni e vilash

Nga Boldnews.al

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e quajti një “pikëz të vogël” atë pjesë që do të shkëputej nga Parku i Butrintit, për t’u kthyer në resort privat nëpërmjet një “investimi strategjik”.

Tashmë, Plazhi i Manastirit, pra ajo “pikëz e vogël” është shndërruar në një masiv vilash prej betoni, të cilat kanë bllokuar tërësisht aksesin e pushuesve në një prej gjireve më të bukura të Rivierës Shqiptare.

Image

Në këto momente, Plazhin e Manastirit, në periferinë perëndimore të Sarandës, mund ta shijosh vetëm duke kaluar në rrugë detare, pasi kantieri i ndërtimit e ka bllokuar tërësisht aksesin nga toka.

Muzikë pas mesnate? Kumbaro zbulon vendimin e qeverisë: Do aplikojmë fasha orare!

Pasi “investimi strategjik” të përfundojë, aksesi në atë plazh do të jetë vetëm i atyre fatlumëve, të cilët do të blejnë vila me një çmim më së paku 4 mijë euro metrin katrorë, siç u shprehën punonjësit e kantierit, në mungesë të dijenisë se po flisnin me gazetarë të “Boldnews.al”. Megjithatë, shifra nuk është e konfirmuar.

Image

Askush tjetër nuk do të lejohet të shijojë brigjet që kanë qenë të hapura ndër shekuj për banorët e zonës, por edhe për turistët që u shtuan pas viteve ’90. Pjesë e parkut të Butrintit, ajo do të jetë një “zonë private”, pasi kështu vendosi ta shpallë Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS), nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.

Shkatërrohet parku për beton

Në 2 Dhjetor 2021, komiteti KIS miratoi statusin e investitorit strategjik për projektin “Manastiri Resort”, me subjekt aplikues “Albstar” shpk, në pronësi të biznesmenit Sadik Ismailaj.

Subjekti aplikues propozon zhvillimin e një investimi i cili synon ndërtimin e një resorti, që do të ketë në përbërje hotel dhe struktura akomoduese me rreth 33 njësi të ndara me kapacitet total që variojnë nga 83-100 shtretër, restorant, bar, pishinë e jashtme etj.

Image

Në foto: Vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike për “Manastiri Resort”

Projekti zë një sipërfaqe zhvillimi prej 53,467 m², pronë private, në Ksamil, Bashkia Sarandë.

Vlera e investimit të projektit të investimit “Manastir Resort, Resort Turistik 2, 3 dhe 4 kate me parkime nëntokë” parashikohet të jetë 28.000.000 (njëzet e tetë milion) Euro.

Vendimi për ndërtimin e Resortit në territorin e Parkut Kombëtar të Butrintit ishte i njëkohshëm me vendimin e qeverisë për të dorëzuar menaxhimin e tij në duart e një fondacioni privat, si edhe i parapriu një tjetër vendimi qeveritar që zvogëloi hartën e Parkut.

Jashtë Parkut mbeti “kjo pikëz e vogël”, siç e konsideroi Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, zonën ku do të ndërtohej grupi i vilave, gjatë një seance parlamentare në Korrik 2022.

Image

Në foto: Ministrja e Kulturës, Kumbaro, e konsideroi “pikëz” zonën ku do të ndërtohet “Manastiri Resort”

Këto vendime në seri të qeverisë nxitën reagimin e fortë të opozitës. Dy prej deputetëve të saj, Agron Shehaj dhe Ina Zhupa, që ngritën zërin më shumë për këtë çështje, e konsideruan si “aferë 28 milionë euro” për të prishur Parkun e Butrintit dhe për t’ia dhënë klientëve qeveritarë e njerëzve pranë saj.

Këtu, deputetët e opozitës i referoheshin kompanisë “Albstar”, e cila rezulton se ka fituar miliona euro nga tendera publikë të qeverisë (rreth 50 mln euro vetëm në periudhën 2019-2023, sipas “spending.data.al”, shën.red) , si edhe kompanisë “Andi” shpk të Andi Gjiknurit, një familjar i deputetit dhe ish-ministrit socialist, Damian Gjiknuri.

Zvogëlimi i Parkut

Në 26 Janar të vitit 2022, Këshilli i Ministave miratoi vendimin për të zvogëluar me rreth 800 hektarë Parkun e Butrintit. Në këtë hapësirë të shkëputur nga Parku përfshihet edhe territori ku u vendos të ndërtohej investimi strategjik “Manastiri Resort”.

Image

Në foto: Vendimi i Këshillit të Ministrave, 26 janar 2022, për zvogëlimin me 800 ha të Parkut të Butrintit

Për zbatimin e këtij projekti, u krijua shoqëria “Manastiri Resort”, i përbërë nga bashkimi i “Finman” shpk, një kompani në pronësi të Sadik e Idajet Ismailaj dhe “Andi” shpk, në pronësi të Andi Gjiknurit.

Shoqëria “Manastiri Resort” u krijua me një marrëveshje që mban datën 16 nëntor 2021, pra vetëm dy javë para se Komiteti i Investimeve Strategjike të miratonte statusin e “investitorit strategjik” për këtë projekt.

Image

Në foto: Familja Ismailaj dhe Andi Gjiknuri regjistrojnë shoqërinë “Manastiri Resort” dy javë para miratimit të “investimit strategjik”

Rreth një vit pas këtij bashkimi, kompania e Gjiknurit vendosë të largohet nga investimi, duke i shitur aksionet e saj tek “Finman”. Vlera e këtij transaksioni nuk është publikuar në kontratat e depozituara pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB).

Ndërtimet e resorteve turistike apo zhvillimet ndërtimore masive në zonat bregdetare ishin paralajmëruar nga 25 organizata mjedisore dhe 4 profesorë të shkencave të natyrës që kur u rishikua harta e zonave të mbrojtura për disa parqe në janar të vitit 2022.

Image

Në foto: Parku i Butrintit, një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të Shqipërisë

Përmes një reagimi të përbashkët organizatat më të mëdha mjedisore në vend dhe profesorët e shkencave të natyrës pohuan se “me rishikimin e kufijve të zonave të mbrojtura ‘fshihen’ zhvillime të paqëndrueshme, si urbanizim, aeroporte, sipërfaqe habitatesh të mbuluara nga parqe industriale”.

Sipas tyre, “Hapja e rrugës për këto projekte do të dëmtojë në mënyrë të pakthyeshme këto zona”.

E, megjithatë, përtej shqetësimit të ambjentalistëve, projekti për betonizimin e Plazhit të Manastirit po vazhdon pa ndalur./ syri

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME