Protesta/ Naftëtarët pa paga në prag festash: 200 punëtorë të nënkontraktorëve të Bankers në harresë

Fier – Rreth 200 punëtorë të kompanisë nënkontraktore që operojnë për Bankers Petroleum, Global Energy ndodhen në një situatë alarmante, pasi prej afro dy muajsh nuk kanë marrë pagat, ndërsa problemet në kompani kanë nisur që 4–5 muaj më parë.
Sipas denoncimeve të punëtorëve, rrogat e muajit nëntor nuk janë paguar, ndërsa edhe dhjetori po mbyllet pa asnjë zgjidhje, duke i lënë dhjetëra familje përballë pasigurisë ekonomike në prag të festave të fundvitit.
Punëtorët shprehen se askush nuk u jep shpjegime, ndërkohë që situata rëndohet çdo ditë e më shumë. “Po mendohemi si do ta kalojmë Vitin e Ri, kemi fëmijë dhe detyrime,” thonë ata.
Burime nga terreni bëjnë me dije se ritmi i prodhimit të naftës ka rënë ndjeshëm, për shkak të problemeve që kompania ka me shtetin, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e nënkontraktorëve dhe pagesat ndaj punëtorëve.


Një tjetër element shqetësues është edhe largimi i stafit kinez drejtues. “Kinezët janë larguar, kanë mbetur vetëm dy persona. Nuk na pyet njeri,” shprehen naftëtarët, duke theksuar se situata është jashtë kontrollit dhe kërkon ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse.
Punëtorët kërkojnë pagesën e menjëhershme të pagave të prapambetura dhe transparencë nga kompanitë dhe shteti, përpara se situata të përshkallëzohet në protesta dhe përplasje sociale.









