PS i jep ” Lejën e zakonshme” Agron Shehajt, 30 ditë larg nga Kuvendi

Pas kërkesës së Taulant Ballës dhe një grupi deputetësh socialistë për përjashtimin e kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, nga Kuvendi, Sekretariati i Etikës, i drejtuar nga Ulsi Manja, vendosi ta dënojë atë me masën maksimale: 30 ditë përjashtim nga punimet e Kuvendit.
Vendimi vjen pas përplasjeve në seancën e kaluar plenare, ku ministri i Financave, Petrit Malaj, i përmendi Shehajt kompanitë e tij private, duke i thënë: “Tani do merremi ne me ty”. Kjo solli reagimin e ashpër të Shehajt, i cili iu përgjigj nga foltorja: “Po nëse më kërcënon mua këtu në Kuvend, çfarë i bën një qytetari të thjeshtë që del në protestë ti, mor maskara?”.
Ky është përjashtimi i dytë me 30 ditë që mazhoranca i jep Shehajt gjatë vitit 2026. Herën e parë, kreu i Partisë Mundësia u përjashtua pasi shfaqi në Kuvend pamje të dhunës policore ndaj banorëve të Rrjollit, duke akuzuar mazhorancën se po i shiste dhe po i censuronte ata.
Vendimi i fundit pritet të ndezë edhe më tej debatin politik, ndërsa opozita e konsideron atë një tjetër rast të përdorimit të shumicës parlamentare për të ndëshkuar zërat kritikë në Kuvend.









