Çmimet “fluturojnë” në Gjirokastër në kulmin e sezonit turistik, vizitorët ankohen

Gjirokastra, një nga perlat e turizmit shqiptar, po përballet me kritika nga vizitorët për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve gjatë sezonit veror. Turistë vendas dhe të huaj shprehen se kostoja e shërbimeve është bërë shumë më e lartë krahasuar me vitet e mëparshme dhe me destinacione të tjera turistike në vend.
Një makiato në zonat më të frekuentuara kushton rreth 150 lekë, një shishe ujë arrin në 100 lekë, ndërsa çmimi i një birre shkon deri në 500 lekë. Por shqetësimi më i madh lidhet me çmimet e akomodimit në hotele dhe bujtina, të cilat në shumë raste konsiderohen të larta për standardin e shërbimit të ofruar.
Sipas shumë vizitorëve, këto çmime po ndikojnë në zgjedhjet e turistëve, të cilët preferojnë ta vizitojnë qytetin vetëm për disa orë, për të parë qendrën historike dhe monumentet, e më pas largohen drejt destinacioneve të tjera me kosto më të përballueshme.

Operatorë të turizmit shprehen se rritja e çmimeve duhet të shoqërohet me përmirësim të cilësisë së shërbimeve, pasi në të kundërt Gjirokastra rrezikon të humbasë konkurrueshmërinë dhe të dëmtojë imazhin e saj si një nga destinacionet më të veçanta turistike të Shqipërisë.








