SPORTTOP-NEWS

PSG mposht minimalisht Angers, Chelsea shkatërron West Ham. Bayern marshonë, 6-0

Në javën e dytë të Ligue 1, Kampionët në fuqi të Paris Saint-Germain fitojnë minimalisht 1-0 në debutimin shtëpiak në Parkun e Princave kundër Angers. Skuadra e Luis Enrique dominon gjatë në pjesën e parë, por humb një penallti në minutën e 27-të me Dembelé. Ashtu si në ndeshjen hapëse, edhe këtë herë duhej një mesfushor për të zgjidhur sfidën: në minutën e 50-të Fabian Ruiz firmos golin e fitores. PSG me pikë të plota.

Fitorja e dytë radhazi 1-0 për Paris Saint-Germain, që mbështetet te mesfushorët e tij për të qëndruar me pikë të plota në Ligue 1. Dominim total nga Kampionët në fuqi kundër Angers gjatë pjesës së parë: bardhezinjtë qëndrojnë të mbyllur pranë zonës së tyre të rreptësisë, por parizienët nuk arrijnë të çajnë. Në minutën e 27-të vjen rasti më i mirë për skuadrën e Luis Enrique, por Dembelé dështon nga pika e bardhë duke gjuajtur jashtë.

Në pushim rezultati mbetet ende 0-0, por gjërat ndryshojnë pas kthimit nga dhomat e zhveshjes. Në minutën e 50-të Fabian Ruiz gjen goditjen e majtë fituese për të mposhtur Koffi dhe për të zhbllokuar ndeshjen. Kampionët e Europës rrezikojnë dyfishimin në pafund raste, por shpërdorojnë të gjitha mundësitë e krijuara (një rast i bujshëm i Joao Neves në orën e lojës). Miqtë megjithatë nuk arrijnë befasinë për të rrëmbyer të paktën një pikë, me PSG që e çon në shtëpi fitoren. Luis Enrique me pikë të plota, dy gola të shënuar në dy ndeshje dhe asnjë i pësuar, ndërsa Angers mbetet me 3 pikë.

Chelsea 3 750x375

Në ndeshjen hapëse të javës së dytë të Premier League, Chelsea gjen fitoren e parë sezonale falë një 5-1 të thellë në fushën e West Ham. Hammers krijojnë iluzionin me Lucas Paquetà që hap ndeshjen në minutën e 6’, pastaj nis goleadë e Blues: blerja e re Joao Pedro barazon shifrat në minutën e 15’, përpara se të shërbejë asistin për dyfishimin e Pedro Neto në minutën e 23’. Enzo Fernandez shënon golin e tretë në minutën e 34’, në pjesën e dytë rrjetat e Caicedo dhe Chalobah.

Suksesi i parë në këtë Premier League për Chelsea, që pas 0-0 kundër Crystal Palace rrëzon West Ham 5-1 në London Stadium. Vendasit nisin fort, duke kaluar në avantazh në minutën e gjashtë falë ish-lojtarit të Milan, Paquetà. Reagimi i njerëzve të teknikut Maresca vjen menjëherë, dhe blerja e re Joao Pedro barazon shifrat në minutën e 15’. Fullkrug kaloi përsëri përpara Hammers, por goli i gjermanit u anulua pas kontrollit Var. Blues përfitojnë nga momenti i dëshpërimit të vendasve, duke kompletuar përmbysjen në minutën e 23’ me Pedro Neto, i shërbyer pikërisht nga Joao Pedro.

Përforcimet e merkatos së Chelsea vazhdojnë të bëjnë diferencën: pak pas gjysmës së orës, në minutën e 34’, Estevao shërbeu për golin e tretë të Enzo Fernandez. Dy skuadrat u kthyen në dhomat e zhveshjes me rezultatin 3-1 në favor të miqve, por diferenca u zgjerua në pjesën e dytë: në minutën e 54’ Caicedo shënoi golin e katërt pas zhvillimeve të një goditjeje këndi, dhe katër minuta më vonë (sërish nga goditje këndi) ishte radha e Chalobah (në asistin e dytë të ditës nga Joao Pedro). Formacioni i drejtuar nga ish-tekniku i Blues Potter është praktikisht i dorëzuar, dhe nuk arriti më të reagojë. Chelsea ngjitet në 4 pikë në renditje, West Ham mbetet ende në kuotën 0.

Bayern 750x375

Bundesliga 2025/26 rifillon aty ku ishte ndërprerë: Bayern Munich, kampion në fuqi, hap vallet e javës së parë me një 6-0 “tenistik” kundër Leipzig. Goli i parë i Bundesligës shënohet në minutën e 27′ nga Olise, i cili në të 42′ vulosi edhe dygolëshin e tij personal. Në mes, në të 32′, rrjeta e blerjes së re Luis Diaz. Në pjesën e dytë shpërthen Harry Kane: tripletë në më pak se një çerek ore (64’, 74’ dhe 77’).

Edhe Bayern Munich është në “klimën” e US Open: bavarezët rrëzojnë Leipzig me një 6-0 “tenistik” në javën e parë të Bundesligës së re 2025/26. Dominim total nga bavarezët, që i bëjnë menjëherë gjërat të qarta që në 45 minutat e para: pak para gjysmës së orës, në minutën e 27′ Michael Olise shënon golin e parë të Kampionatit me një goditje të djathtë shumë të fortë që mposhti portierin Gulacsi. Pesë minuta më vonë është momenti i Luis Diaz: kolumbiani, i shërbyer me thembër nga Gnabry pas një aksioni të gjatë kolektiv, shënoi me të djathtën 2-0 që preku më parë traversën e brendshme. Para pushimit, në të 42′, është sërish Gnabry protagonist: asist i mrekullueshëm me një pasim filtrues të shkëlqyer për dygolëshin personal të Olise, që kompleton trisin bavarez.

Në vazhdim gjërat nuk ndryshojnë, madje për Bullen përkeqësohen: shpërthen e gjithë zemërata e Harry Kane, i cili brenda katërmbëdhjetë minutash (64’, 74’ dhe 77’) firmosi një tripletë të çmendur. Luis Diaz, pas golit të parë me bavarezët përgatiti edhe dy asiste për sulmuesin anglez (i treti ndërkohë ishte me sugjerimin e Kim). Miqtë duhet të “kënaqen” me një gol të anuluar pas kontrollit Var ndaj Nusa, autor i përkohshëm i 4-1 që zgjati pak sekonda deri kur u anulua. Fiton Bayern Munich 6-0 dhe dërgon një mesazh të fortë e të qartë për të gjitha ndjekëset: edhe këtë vit nuk do të dojë të lërë as thërrimet për kundërshtarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button