Thursday, November 21, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKRYESOREQeveria e Kosovës ndalon përdorimin e TikTok-ut në institucionet publike

Qeveria e Kosovës ndalon përdorimin e TikTok-ut në institucionet publike

Të premten qeveria e Kosovës, vendosi “të ndalojë instalimin, përdorimin dhe funksionimin e aplikacionit të rrjetit social TikTok”, në të gjitha institucionet publike.

Vendimi u mor, siç u tha, me qëllim të rritjes mbrojtjes kibernetike.

Zëvendësministri i punëve të Brendshme Bardhyl Dobra, duke paraqitur propozimin tha se “të gjitha institucionet publike të cilat janë pronarë dhe administrojnë rrjete shtetërore të komunikimit janë të detyruara të vendosin kufizimet e nevojshme teknike për ndalimin e funksionimit të shërbimit të rrjetit social “TikTok” në mjediset dhe pajisjet zyrtare”.

Qeveria tha se ky vendim është në harmoni me ligjin për siguri kibernetike, por edhe “me veprimet e marra nga shtetet aleate dhe ka për synim të mbrojë institucionet shtetërore të Kosovës kundër kërcënimeve dhe veprimeve të sigurisë kibernetike të cilat mund të shfrytëzohen për sulme kibernetike ndaj infrastrukturës së teknologjisë së informacionit dhe komunikimit të institucioneve të Kosovës”.

Në muajin prill Senati amerikan miratoi projektligjin, që do ta detyrojë pronarin kinez të kompanisë “ByteDance” të shesë degën e aplikacionit TikTok, në Shtetet e Bashkuara brenda rreth nëntë muajsh ose të përballet me një ndalim të aplikacionit në Shtetet e Bashkuara. Miratimi i projektligjit është nxitur nga shqetësimet se Kina mund të ketë qasje në të dhënat e amerikanëve ose t’i përgjojë ata përmes aplikacionit TikTok.

Drejtuesit e kompanisë TikTok thonë se nuk kanë ndarë dhe nuk do të ndajnë të dhënat e përdoruesve amerikanë me qeverinë kineze, ndërsa kanë theksuar se ligji përbën një ndalim që do të shkelte të drejtat e lirisë së shprehjes së përdoruesve të aplikacionit në Shtetet e Bashkuara.

Bashkimi Evropian ka ndaluar përdorimin e TikTok-ut në institucionet e tij dhe një ndalim i ngjashëm është vendosur në shumë vende të bllokut, por edhe jashtë tij.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME