Mbjellja e sipërfaqes së tokës me drithëra bie me 70%. Fermerët: S’ka shitje, s’kemi fitim.

Fier – Mbjellja e drithërave drejt zhdukjes në fshatrat e Fierit. Fermerët braktisin grurin për mungesë tregu dhe fitimi. 70% e sipërfaqes së tokave nuk po punohen më.
Kultivimi i drithërave në zonat rurale të Fierit në Boçovë, Shënpjetër, po shkon drejt tkurrjes së vazhdueshme, ndërsa fermerët po heqin dorë nga gruri, elbi dhe tërshëra për shkak të kostove të larta, mungesës së tregut dhe fitimit të ulët. Situata është konfirmuar nga vetë fermerët në terren, të cilët thonë se sipërfaqet e mbjella me drithëra kanë rënë ndjeshëm krahasuar me 15 vite më parë.
Në fshatin Boçovë të zonës së Levanit, fermeri Ismet Gega tregon se dikur mbilleshin rreth 100 hektarë me grurë, ndërsa sot kultivohen vetëm 30 hektarë. Sipas tij, nga rreth 50 fermerë të mëdhenj që merreshin me drithëra vite më parë, aktualisht kanë mbetur vetëm tre.

“Ulja e konsumit, mungesa e tregut dhe fitimi i vogël kanë detyruar fermerët të largohen nga kultivimi i drithërave. Shpresojmë që me skemën e re të subvencionimit të përfitojmë diçka më shumë, pasi kostot për pesticidet dhe inputet bujqësore janë rritur ndjeshëm”, shprehet Gega.
Ai shton se shumë fermerë janë orientuar drejt kulturave të tjera bujqësore ose kanë lënë tokat djerrë, pasi prodhimi i drithërave nuk siguron më të ardhura të mjaftueshme.



Situata paraqitet edhe më problematike në fshatin Shënpjetër të njësisë administrative Seman-Topojë. Banori i zonës, Mili Sako, pohon se nga 400 hektarë tokë që punoheshin vite më parë, sot shfrytëzohen vetëm 80 hektarë. Pjesa tjetër, rreth 320 hektarë, ka mbetur djerrë ose përdoret për mbjelljen e jonxhës dhe thjesht bar.
Sipas tij, edhe numri i fermerëve që kultivojnë drithëra ka pësuar rënie drastike. Nga 60 fermerë që merreshin me këtë aktivitet rreth 15 vite më parë, sot kanë mbetur vetëm tre. Ndërsa sipërfaqja e mbjellë me grurë ka rënë nga 120 hektarë në vetëm 7 hektarë.

“Shpresojmë që skema e re e subvencionimit të sjellë më shumë mbështetje për fermerët. Mungesa e tregut, subvencionet e pakta dhe çmimi i ulët i shitjes kanë bërë që kultivimi i drithërave të mos jetë më fitimprurës. Vetë qeveria ka deklaruar se gruri, elbi dhe tërshëra vijnë më lirë nga importi sesa prodhohen në vend”, shprehet Mili Sako.
Fermerët e Fierit paralajmërojnë se nëse nuk do të ketë politika më mbështetëse për prodhimin vendas, kultivimi i drithërave rrezikon të zhduket pothuajse plotësisht nga shumë zona bujqësore të qarkut, duke rritur më tej varësinë e vendit nga importet./ ALB365











