Rama premtoi në fushatë pasaportë europiane, Spiropali: Integrimi nuk është vetëm pasaportë

Nesër Shqipëria mban tryezën ndërqeveritare për nisjen e procesit të mbylljes së negociatave dhe grupkapitujve me Bashkimin Evropian në Bruksel.
Në prag të këtij takimi ka reaguar edhe ish-ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, deputetja socialiste Elisa Spiropali.
Ndërsa e quan në postimin e saj në rrjetin social, duke e shoqëruar edhe me një album fotografik si “Dita e Evropës për Shqipërinë”, ish-ministrja vë në dukje se anëtarësimi në BE nuk është vetëm plaftormë politike apo diplomatike dhe gjithashtu as një pasaportë evropiane, por hyrja në një hapësira ku ligji ka tjetër peshë.
“Anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk është vetëm pasaportë europiane në kuptimin formal. Është hyrje në një hapësirë ku ligji, konkurrenca, liria dhe dinjiteti i qytetarit kanë një tjetër peshë. Dhe për një vend si Shqipëria, që për dekada e ka parë Europën si horizont shprese dhe normaliteti, kjo rrugë mbetet një nga arritjet më të mëdha historike të shtetit shqiptar”, shkruan ajo mes të tjerash.
Spiropali thekson se kanë shumë rëndësi fakti se Shqipërisë i duhet vizion, qartësi dhe më shumë entuziazëm në të gjitha fushat, për të arritur në ditën finale.
“Por pikërisht sepse jemi pranë këtij momenti, Shqipërisë i duhet më shumë se entuziazëm. I duhet qartësi. I duhet guxim politik dhe qytetar. I duhet një platformë e saktë shtetërore dhe shoqërore për Shqipërinë europiane që duam të ndërtojmë, një vizion i detajuar për institucionet, drejtësinë, ekonominë, arsimin, administratën dhe lirinë, që vendi të mos hyjë në Europë i befasuar nga standardet e saj, por i përgatitur për to me vetëdije të plotë. Dita kur Shqipëria do të ndezë fishekzjarret e anëtarësimit nuk duhet të jetë fundi i një rruge, por duhet të jetë dita kur Shqipëria është gati, pa frikë dhe pa improvizim, të ulet natyrshëm në tryezën e konfederatës së kombeve europiane”, thekson ish-ministrja.
Mes fotografive që ajo ka ndarë ishin ato gjatë kohës kur mbante postin e ministres me zyrtarë të lartë të BE-së, përfshirë edhe një me Marta Kos rrugëve të kryeqytetit shqiptar.








