Tre orë ka zgjatur biseda mes kryeministrit Edi Rama me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në dhomat e paraburgimit në Hagë. Në takimin që Rama e konsideroi një çmallje e nevojshme, thekson se e pa Thaçin të fortë dhe të bindur më shumë se kurrë, dhe se kjo është sprova e radhës për t’i treguar botës më hapur se kurrë pastërtinë e luftës së shqiptarëve të Kosovës për liri. Rama nënvizoi edhe një herë se lufta çlirimtare e Kosovës nuk mund të rishkruhet as nuk mund kurrsesi të futet në korniza të tjera.
“Ishte një çmallje e nevojshme. Presidentin Thaçi e gjeta në top formë. I bindur mbase edhe më shumë se para se të vinte këtu që kjo ishte një rrugë e pashmangshme për të provuar katërcipërisht përpara drejtësisë pastërtinë e plotë të Luftës Çlirimtare, pastërtinë e idealit të UÇK-së dhe udhëheqësve të saj. Të gjithë ne jemi të bindur se lufta çlirimtare e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe as nuk mund kurrsesi nuk mund të futet në korniza të tjera. Ajo është tanimë e futur në kornizën e artë të heroizmit, të sakrificave, të gjakut të dhënë dhe të gjitha përpjekjeve të tjera për Kosovën e lirë, demokratike dhe sovrane”, tha Rama.
Nga ana tjetër, Thaçi u paraqit sot paradite para Gjykatës Speciale për shkak të aktakuzës së re, të ndryshuar, të cilën Prokuroria e Specializuar e dorëzoi së fundmi në gjykatë. Thaçi tha se nuk i ka kuptuar akuzat e reja, por tri herë u deklarua i pafajshëm.
Zyra e Prokurorit të Specializuar të premten e ka dorëzuar në Gjykatën Speciale një aktakuzë të re kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të gjithë drejtues të luftës për liri të Kosovës.