Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se qeveria po mendon për një taksë të jashtëzakonshme vetëm për tokën e papunuar.
Në një takim me operatorët turistikë në Peshkopi, Rama u shpreh se “fermerët nuk mund ta mbajnë tokën e papunuar, ose duhet ta punojnë ose ta japin me qira, ndryshe do të paguajnë qimet e kokës siç e bën gjithë bota”.
“Në pikën ku ne e kemi nisur, me 120 milionë euro eksporte dhe do të arrijmë gjysmë miliardi këtë vit. Po kush i bën këto gjysmë miliardi eksporte kudo në Europë, në Amerikë, kudo? I bën qeveria? I bëjnë njerëzit. Natyrisht që ne mbështesim sa mundemi. Bujqësia jo vetëm nuk po ngordh, por bujqësia po ecën me hapa të të vegjël, por të sigurt dhe na tregojnë llogaritë”, tha ai.
Rama theksoi se Shqipëria është i vetmi vend që nuk e takson fermerin, zero.
Kryeministri theksoi se fermeri duhet t’i adaptohet tregut se nuk do blejë shteti mollën, por do ta blejë tregu.
“Tregu kërkon këtë lloj molle e jo atë mollë, e ndërkohë hedh mollën dhe tallet me satelitët ndërkohë që ai komshiu vet i shet mollët jashtë dhe i përdor satelitët dhe ai normalisht duhet të ankohej.
Jo, ai shkon i merr me qira jashtë shtetit shërbimet satelitore për mollët, llogarite. Kështu që, kjo është vështirësi shumë e madhe sepse vendoset një pengesë shumë e vazhdueshme”, tha Rama.