Ndotja akustike në Shqipëri është mbi normë në shumicën e qyteteve. Kjo sipas një raporti të Agjencisë Kombëatre të Mjedisit. Fluksi i madh i automjeteve, gjendja motorike e tyre, punimet në ndërtim, mungesa e brezit mbrojtës të gjelbër midis zonave të banuara dhe rrugëve kryesore janë disa nga faktorët e zhurmave në vend.
“21 dhjetori” mbetet zona më e zhurmshme gjatë ditës jo vetëm e Tiranës, por e gjithë Shqipërisë. Sipas raportit më të fundit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për vitin 2022 këtu niveli i zhurmave ditën e tejkaloi me 25% standardin e OBSH dhe ligjit shqiptar, raporton Tv Klan.
Në rang vendi Shkodra dhe Tirana janë dy qytetet më të zhurmshme. Shkodra prodhon ndotjen më të lartë akustike ditën, ndërsa Tirana gjatë natës. Pasojat deri në humbje të dëgjimit i përjetojnë drejtpërdrejtë qytetarët. Qytetet më të qeta rezultojnë Kukësi dhe Berati.
“Nga monitorimi i zhurmave urbane për vitin 2022 rezulton se në qytetin e Kukësit nuk kemi tejkalim të nivelit të zhurmave ditën dhe natën. Në qytetin e Beratit nuk kemi tejkalim të normës natën”, shkruan raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
Së fundmi përmes një udhëzimi të posaçëm janë përcaktuar edhe nivelet kufi të çdo lloj zhurme, që do të inspektohet nga policia e shtetit dhe ajo bashkiake. Për shkeljen e normave parashikohen gjoba nga 5 000 lekë deri në 50 mijë Lekë.