KULTURË

Jessie J rikthehet në skenë pas operacionit për kancer gjiri

Jessie J ka bërë një rikthim emocional në skenë, vetëm 11 javë pas operacionit për kancer gjiri.

Pas anulimit të turit në SHBA dhe shtyrjes së koncerteve në Mbretërinë e Bashkuar dhe Europë deri në vitin 2026, artistja e hiteve “Domino” dhe “Price Tag” u ngjit sërish në skenë të shtunën, më 6 shtator, në festivalin BBC Radio 2 In the Park në Angli.

Për ta bërë momentin edhe më të veçantë, i pranishëm ishte edhe djali i saj 2-vjeçar, Sky Safir, që për herë të parë e pa të ëmën duke performuar.  Në një moment gjatë koncertit, Jessie J iu drejtua fansave me lot në sy:

“Disa prej jush ndoshta e dini, disa jo, por unë bëra një operacion për kancer gjiri 11 javë më parë. Ende jam në proces shërimi, por jam kaq mirënjohëse që jam këtu sot.” Ajo shtoi se performanca ishte edhe më e rëndësishme sepse “djali im më pa për herë të parë duke kënduar live”.

Jessie prezantoi këngën e re “Living My Best Life”, duke treguar se e kishte regjistruar pak para se të merrte diagnozën: “Jeta është të qëndrosh në stuhi, por të mbash çadrën dhe të ecësh përpara. Muzika është shëruesi im. Ajo më jep arsye të zgjohem çdo mëngjes.”

Këngëtarja u bëri thirrje fansave: “Jetoni çdo ditë sikur është e fundit, përqafoni fort njerëzit që doni.”

Në fund të gushtit, Jessie J njoftoi se duhet t’i nënshtrohet edhe një operacioni tjetër para fundit të vitit, ndaj ka vendosur të shtyjë turin në Evropë deri në vitin 2026. “Jam e trishtuar, por duhet të shërohem plotësisht. Dua të jem më mirë dhe më e fortë,” tha ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button