Shpejtësia shpëton jetë në urgjencat nga metformina

Një protokoll i ri i përshpejtuar për dializën, i zbatuar në një spital në Tajlandë, ka arritur të ulë pothuajse përgjysmë vdekshmërinë nga acidoza laktike e lidhur me metforminën (MALA), një ndërlikim i rrallë por shumë i rrezikshëm i ilaçit për diabetin. Studimi u prezantua në ASN Kidney Week 2025 dhe tregon se reagimi i shpejtë dhe i organizuar mund të shpëtojë jetë.
MALA ndodh kur acidi laktik grumbullohet në gjak më shpejt sesa trupi mund ta eliminojë, duke shkaktuar ulje të rrezikshme të pH-it dhe rrezik serioz për jetën. Për të përmirësuar trajtimin, studiuesit krijuan një protokoll të standardizuar që i jep përparësi nisjes sa më të shpejtë të dializës, përmes hemodializës, terapive të vazhdueshme zëvendësuese të funksionit të veshkave ose dializës peritoneale.
Ky protokoll u zbatua në Spitalin Maharat Nakhonratchasima, ndërsa Spitali Burirum shërbeu si grup krahasimi. Gjatë pesë viteve u analizuan 347 raste. Pas zbatimit të protokollit, vdekshmëria brenda 30 ditësh në spitalin ku u aplikua u ul nga 25.7% në 13.9%, ndërsa në spitalin krahasues nuk pati përmirësim. Po ashtu, koha nga mbërritja e pacientit në spital deri në fillimin e dializës u shkurtua ndjeshëm, nga 870 në 690 minuta. Ndërgjegjësimi i stafit mjekësor për MALA u rrit dukshëm, duke çuar në reagim më të shpejtë dhe trajtim më efektiv.
Metformina është një nga barnat më të përdorura në botë për diabetin e tipit 2 dhe përgjithësisht është shumë e sigurt. MALA është jashtëzakonisht e rrallë dhe zakonisht shfaqet te pacientë me probleme të tjera shëndetësore si sëmundje të veshkave, mëlçisë, infeksione të rënda apo dehidratim. Studimi tregon qartë se protokollet e standardizuara dhe dializa e shpejtë janë vendimtare për të ulur vdekshmërinë dhe për të përmirësuar mbijetesën e pacientëve. / Scitech Daily









